Sinan Idrizi parala jmëron largimin e shtatë lojtarëve nga Flamurtari. Motivacioni është: “Nuk ishin në lartësinë e fanellës”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, administratori i mban që të gjithë në ankth. Nuk do të ketë vetëm të huaj, por edhe shqiptarë në listën e skarcimeve. Zbulon se mes afrimeve do të ketë edhe një portier, ndërsa nuk e vendos aspak në dyshim objektivin “Superiore”.


Paralajmëruat “kirurgji” në ekip. Çfarë e pret Flamurtarin në janar?

Unë e kam thënë dhe po e përsëris. Do të kemi një kirurgji në skuadër. Mendoj se kështu duhet që të ndërhyjmë për të përmirësuar ato gjëra që deri më tani mua nuk më kanë pëlqyer. Jo vetëm mua në fakt, por edhe tifozëve, pasi dy ndeshjet e fundit duhet të harrohen. Ato nuk ishin në pritshmëritë tona.


Sa lojtarë mendoni që do të largoni?

Besoj se do të jenë 6-7 futbollistë me të cilët do të ndërpresim bashkëpunimin. Ata do të largohen pasi nuk kanë qenë në lartësinë e fanellës dhe në pritshmëritë tona si klub.


Do të jenë të huaj apo do të ketë edhe shqiptarë?

Të qartësohemi, unë nuk i ndaj në të bardhë, të zinj, të kuq apo të verdhë… Nuk i ndaj në të huaj apo shqiptarë. Ata janë futbollistët tanë dhe janë njësoj. Por ju them, se patjetër do të kemi lojtarë si të huaj apo shqiptarë që do të largohen. Mendoj se do të kemi edhe nga lojtarët tanë që mund t’i huazojmë diku tjetër, që ata të rriten gjatë rrugës.


Iakoveli në fakt ishte i pari që u largua…?

Unë e falënderoj Iakovelin. Kontratën me atë lojtar e mbyllëm në mirëkuptim të plotë. I uroj suksese në karrierën e tij në vazhdimësi.


Ku ka dalje, ka edhe hyrje. Sa lojtarë do të afrohen te Flamurtari?

Janë disa lojtarë me të cilët kemi arritur marrëveshje paraprake. Do t’i prezantojmë në ditët e para të janarit.

Mund të na zbuloni më shumë rreth afrimeve?

Janë lojtarë të huaj dhe shqiptarë. Na kanë ikur dy futbollistë për çështjet e tyre, Gocaj dhe Moçka. Ata do të zëvendësohen me dy blerje që mendoj se janë shumë të mira. Është një forcë e re që i shtohet Flamurtarit. Kemi rënë dakord në parim. Njëri është shqiptar dhe një tjetër është i huaj. Kemi hyrë në treg për portier. Portieri që është tani i ka bërë punët shumë mirë, por nuk është e mjaftueshme kjo. Një rast dëmtimi, apo diçka tjetër detyrohemi të luajmë me lojtarët e akademisë, që edhe pse janë shumë të mirë prapë janë moshë që nuk e kanë arritur cakun.

Fillimisht u fol për një rikthim të Alimuçajt dhe më pas shqiptari nga Greqia, Stafano Kapinos. Si është e vërteta?

Të gjitha opsionet janë të hapura. Por kemi kontaktuar me një portier shqiptar që ka luajtur në kampionatin grek. Do të shikojmë në vijim. Javën që vjen pritet të prezantojmë lojtarët.


E shihni objektivin në rrezik, pas zhgënjimit në dy ndeshjet e fundit?

Objektivi është ai që ne kemi. Nuk mund ta vendosim në diskutim. Unë dua lojtarë që të respektojnë dhe ndiejnë peshën e fanellës.