Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi ishte në një lidhje direkte me emisionin “Elite Show” në SuperSport, ku foli për projektin e stadiumit të ri të qytetit, por edhe atë të klubit të futbollit, Flamurtari…

Keni një opinion për zgjidhjet e Dukës si zv. President i UEFA-s?

Si shqiptar është një histori suksesi. Ndjej kënaqësi kur shikoj një shqiptar që shkon kaq larg. Me këmbë në tokë, është më shumë një sukses i lobimit personal të Dukës, sesa të futbollit shqiptar.


Çfarë mendoni për formulën e Superiores me një ‘Final Four”?

Është gjëja më e pavlerë e futbollit shqiptar,. Është diçka e nisur, hajde ta provojmë njëherë, se si do të shkojë.

Është miratuar ndërtimi i stadiumit të ri?

Është miratuar vendimi i qeverisë shqiptare për ndërtimin e këtyre stadiumeve. Unë vazhdoj ta kontestoj edhe sot e kësaj dite këtë projekt, pasi më duket i pamjaftueshëm për Vlorën, qoftë për konceptimin, qoftë për numrin e vendeve, ndaj besoj se do ta rinegociojmë sërish.

Flisni për të ardhmen, pasi aktualisht nuk e kaloni mesataren 4000 tifozë për ndeshje…

Jo me këtë strukturë ne i ëndërrojmë 4 mijë tifozë, pasi nuk shkojmë më shumë se një mijë, një mijë e 500, edhe to duke hapur dyert, pra pa biletë.

Pse ka ngecur privatizimi i Flamurtarit?

Mesa di unë, privatizimi i klubit të Vllaznisë, nuk ka lidhje me asnjë lloj aseti të saj, por vetëm me stemën. Unë kam kërkuar privatizimin bashkë me asetet, pasi në të kundërt, po shikojmë ëndrra me sy hapur. Vllaznia stadiumin e ka me qira dhe nuk krijon dot të ardhura, ndërsa unë dua pak më shumë se kaq. Italia futi në kushtetutë sportin, ndërsa ne e kemi thjesht si aktivitet dhe jo sektor ekonomie.


Sa i përfshirë jeni ju në ndërtimin e stadiumit të ri?

Unë jam për ta ndërtuar dhe administruar jo vetëm stadiumin, por gjithë kompleksin sportiv të Flamurtarit.


Duket sikur ajo Kategoria e Parë është e vështirë, por edhe një kampionat deri diku i vërtetë?

Luhet një futboll cilësor, pasi luhet në qytete me traditë si Fieri, Lushnja, Berati, Elbasani, etj.

Merrni shumë kartonë, mos ndoshta jeni pak nervozë?

Nervoziteti fillon nga pankina, pasi trajneri është në moshën e lojtarëve dhe janë të gjithë bashkë nervozë ndoshta.