Me Kukësin në momentin më të vështirë, por… u largua nga drejtuesit, pavarësisht se ishte vetëm fillimi i sezonit. Bëhet fjalë për Rrahman Hallaçin, ish-futbollisht dhe trajner i verilindorëve, i cili ka dhënë opinionin e tij në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH.

“Largimi im nga Kukësi mendoj se ishte i nxituar, nuk kisha kontratë për dy ndeshje. Lind pyetja, edhe trajneri pasardhës pësoi dy humbje, përse nuk u largua? Në fakt nuk duhet të funksionojë kështu, trajnerit i duhet dhënë kohë”.

“Nuk doja që unë të isha i pari që dëshiroja largimin, sepse Kukësi më kishte hapur derën. Por dhe drejtuesit nga ana e tyre nuk kishin ndonjë dëshirë të madhe që të më mbanin trajner të parë. Kërkova prezantimin si trajner, i cili nuk erdhi, kisha dëgjuar dhe gjëra që nuk më pëlqyen”.

“Vllaznia? Në shkodër kërkojnë gjithmonë lojën e bukur, por të mos harrojmë që Vllaznia ka lojtarë cilësorë. Sigurisht kur mungojnë rezultatet, pesha bie te trajneri. Por duhet pritur, sepse janë vetëm javët e para”.

Fitorja e Kukësit – “Kukësi e ka skuadrën, ka lojtarë me kualitet, pavarësisht situatës së vështirë. Trajneri që erdhi do kohën e tij. Ata lojtarë mendoj se do kenë vazhdimësi mjaft të mirë, sepse e kanë treguar veten edhe në miqësore”.