Igli Tare nuk humb rast për të monitoruar futbollistë të cilët mund t’i bëjnë punë Lacios dhe që plotësojnë filozofinë e tij. Lojtarë me kosto të ulët, por të cilët nëpërmjet aktivizimit e promovimit te skuadra italiane, mund të sjellin të ardhura të mëdha për klubin.

Duket se “magjinë” e radhës ai e ka piketuar në Shkodër, në ndeshjen e disa muajve më parë mes Shqipërisë dhe Turqisë.Përfaqësuesja shqiptare në atë sfidë la për të dëshiruar, por në radhët e kombëtares turke ranë në sy paraqitjet e disa elementëve, mes të cilëve edhe Dorukhan Tokoz.

Futbollisti i cili debutoi në pjesën e dytë të asaj ndeshje me fanellën e Turqisë, shihet si një nga mesfushorët e të ardhmes dhe te Beshiktash ka filluar të gjejë gjithnjë e më shumë hapësira edhe pse është vetëm 22-vjeçar.

Për lojtarin janë interesuar edhe klube të tjera italiane, si Xhenoa e Fiorentina, ndërsa Atletiko Madrid është skuadra që e monitoron nga Spanja. Por në Itali insistojnë se Tare nëpërmjet rrjetit të tij të bashkëpunëtorëve ka bërë lëvizjet e para dhe sipas mediave italiane, shumë shpejt do të hidhet në sulm për futbollistin turk. /vipsport/