Ka optimizëm në radhët e skuadrës krutane në prag të ndeshjes ndaj Kukësit, që do të luhet të dielën në mesditë, duke nisur nga ora 13:00.Skuadra, si zakonisht, edhe ditën e djeshme ka zhvilluar me kapacitet të plotë seancën e radhës stërvitore.

Në prononcimin e dhënë për gazetën “Panorama Sport”, kapiteni i krutanëve, Abaz Karakaçi, pohon se klima e mirë që ekziston në skuadër, aq shumë e domosdoshme në pragndeshjen e së dielës, krijon optimizmin e duhur për të arritur objektivin e vetëm, që është marrja e tri pikëve.

“Ndeshja ndaj Kukësit, ka statusin e një rëndësie të veçantë, pasi jo vetëm që është ndeshje e radhës, por verilindorët janë një skuadër rivale. Jemi përgatitur mjaft mirë. Klima është pak të thuash e mirë.

Një atmosferë e tillë të bën optimist se skuadra në ndeshjen e së dielës do të marrë maksimumin e pikëve”, shprehet fillimisht Karakaçi, që te skuadra krutane është edhe mbajtësi i shiritit të kapitenit në këtë sezon. 30-vjeçari shkodran, pohon se renditja që ka aktualisht Kastrioti nuk është ajo që duhej të ishte realisht.

“Me pak kujdes, pse jo dhe me pak fat, skuadra me lojërat që ka zhvilluar, duhet të ishte më mirë në renditje. Tani nuk është koha gjykojmë të kaluarën. Duhet përqendrim maksimal në ndeshjen e së dielës. E vetmja alternativë ndaj Kukësit është fitorja”, shprehet në fund të prononcimit të tij, kapiteni Karakaçi, që në këto 11 javë të kampionatit është autori i një goli të shënuar ndaj Teutës.