Te Laçi e kanë përjetuar si humbje barazimin e sotëm ndaj Erzenit, pasi i ka ndalur në rrugëtimin e tyre drejt pjesëmarrjes në Europë në sezonin e ardhshëm. Kjo shihet edhe nga fjalët e zëvendëstrajnerit Klevis Hima, i cili e sheh si çështje fati barazimin.

“Normalisht nuk jemi të kënaqur, e mira do të ishte tre pikë që të jemi sa më afër vendit të tretë, por kemi ende pikë në lojë dhe do të tentojmë deri në fund. Sa i përket nisjes së pjesës së dytë, nuk u nis si kërkuam në pushim të ndeshjes,. Ne kërkuam të ishim edhe më agresiv e në ekuilibër dhe na vjen keq për faktin që Erzeni me një rast në portë na shënon gol. Por nuk duhet të dorëzohemi, kemi ndeshje këtë javë në Kukës që të jemi sa më të qetë, të kërkojmë pikët dhe të jemi sa më afër me vendin e tretë apo të ruajmë edhe vendin e katërt. Por e mira është të jemi sa më afër vendit të tretë deri në fund.

Nuk besoj se ekipi e mendoi të fituar, ishte një rast i vetëm që u shndërrua në gol dhe pastaj tentuam ta fitonim. Erzeni mendoi vetëm të mbrohej. Do tentonim edhe më shumë në pjesën e dytë, por e bëri Erzeni.

Kishim superioritet në qarkullim topi e raste, nuk ishte ai gabimi, por thjesht goli që pësuam me një rast që duhej të ishim më të vëmendshëm në atë moment. Por fati i Erzenit dhe i keqi i yni që topi plaset në shtyllë e kthehet në lojë, mund të dilte jashtë. Nuk është se është gabim i lëvizjeve se ne e mbyllëm shumë mirë pjesën e parë.

Bibo është djalë i ri, ka dëshirë shumë dhe uroj të shënojë, por edhe të punojë me kokën ulur si këtë kohë. Do të ndihmojë edhe veten, edhe ekipin e tij

Deri në ndeshjen e fundit do tentojmë e besojmë që do jemi në Europë. Nuk ka mendim tjetër veç Europës. Shpresojmë që ta mbyllim me fitore javën tjetër ndaj Kukësit, por nuk ka lidhje se kush është kundërshtari, ta shohim si do shkojë”, tha Hima për “Oversport” pas sfidës.