Ka luajtur 4 sezon e gjysëm me Vllazninë, ka dhënë shpirtin në fushë dhe jo më kot, edhe sot e kësaj dite vlerësohet maksimalisht nga tifozët shkodranë ndonëse ka plot 7 vjet që nuk është pjesë e skuadrës së tyre.
E kemi fjalën për mesfushorin nga Peja e Kosovës Ilir Nallbani i cili në vitet 2008-2013 ka luajtur plot 121 ndeshje me fanellën kuqeblu dhe ka shënuar 5 gola. Ai sot ka nisur punë si trajner me moshat në qytetin e tij të lindjes, megjithatë sa herë që i jepet mundësia, flet me shumë superlativa për atë periudhë të kaluar me Vllazninë.
Flet me shumë respekt për ish- kolegët e tij futbollistë, për trajnerët, drejtuesit dhe mbi të gjitha tifozët kuqeblu. Gazeta “Shkodra Sport” ka zhvilluar një intervistë me Ilir Nallbanin të cilën mund ta lexoni më poshtë:
– Ilir, kanë kaluar disa vite që jeni larguar nga Shkodra. Ruani ende mbresa nga vitet që ke kaluar në Shkodër?
– Përvoja ime në Shkodër ka qenë një ndër përvojat e mia më të mira dhe mbresëlënëse. Përveç se ka qenë një ndër momentet më të mira si futbollist, Shkodra ka qenë dhe shtëpia ime e dytë dhe prandaj ende e konsideroj atë vendin dhe tifozët më të mirë.
– Ke fituar vetëm Kupën e Shqipërisë në sezonin 2007-08, të vjen keq që nuk u shpalle edhe kampion me Vllazninë?
– Po kemi fituar kupën atë vit që firmosa me vllazninë, më 2008-ën dhe patëm një ecuri mjaft të mirë si në kampionat ashtu dhe në Kupën Uefa sepse kishim një skuader perfekte. Kurse kampionati i pafituar më mbetet nje peng shumë i madh në karrierën time si futbollist i Vllaznisë kishim pothuajse çdo vit ekipin super të mirë dhe mbaj mend si sot ndeshjen e fundit që e humbëm me Tiranën në Tiranë dhe nuk u shpallëm kampion. Të them të drejtën kam qarë shumë pas asaj ndeshje sepse më dhimbsej ekipi ynë pse nuk e zumë vendin e parë sepse me të vërtetë e meritonim ngaqë kishim superskuadër.
– Çfarë ndodhi që Vllaznia nuk u shpall kampion në sezonin 2008-09?
– Vllaznia e ka merituar plotësisht të shpallet kampion dhe të gjitha mundesit i kishim, por mbaj mend që kemi bërë gabime në 2 ndeshjet e fundit, me Lushnjën në Shkodër dhe në një ndeshje tjetër dhe kur erdhëm te ndeshja e fundit me Tiranën, nuk ia dolëm, ndonëse vazhdoj të mendoj që është favorizuar pak Tirana në atë ndeshje. Kjo në shumë drejtime, por jo vetëm në atë ndeshje. Tirana ishte rival i përbetuar i Vllaznisë dhe FSHF nga sa kujtoj, në vend që ta luante ndeshjen e fundit në Shkodër, e spostoi në Tiranë.
– Momenti më i bukur që keni kaluar tek Vllaznia?
– Çdo moment ishte i bukur me Vllazninë sepse çdo vit kemi pas skuadër të mirë dhe pretendente për vende të para. Ka
pas plot gjëra të bukura sepse çdo vit merrnim pjesë në Kupat e Europës dhe kjo ishte një ndjenjë shumë e mirë për ne si futbollistë kur dihet një gjë, që në Shkodër futbolli përveçse ka qenë lojë, ka pasë edhe një ndër faktorët më të rëndësishëm për neve si futbollistë: Pikërisht tifozat e mrekullueshëm të këtij qyteti që jetonin me futbollin dhe jetojnë akoma sepse në Shkodër vetë futbolli është jetë.
E thashë, kam patur shumë momente të bukura por po veçoj si më të bukurin, atë të fitimit të Kupës në vitin 2008. Sapo kisha ardhur tek Vllaznia dhe me atë idenë se nuk do qëndroja gjatë por kur kam parë mënyrën si e përjetonin shkodranët atë sukses, jam befasuar dhe kjo më ka bërë të mendoj se do të qëndroj gjatë tek kjo skuadër.
– Po momenti më i vështirë cili ka qenë?
– Momente të veshtira ishin ato kur humbnim ndeshje dhe tifozat ishin të mërzitur shumë dhe në veçanti, ai kur arritëm ta shpallim kampion Vllazninë në atë vit.
– Jeni i lumtur që rrugëtimi yt në futboll ka kaluar edhe përmes Vllaznisë?
– Po, jam shumë i lumtur që kam qenë pjesë e ekipit të Vllaznisë dhe gjitha sukseset që kam pas me ekipin jam krenar. U jam mirënjohës të gjithëve që më kanë mbështetur, që nga Armando Cungu, njeriu që insistoi për të më sjellë në Shkodër, e për të vazhduar me futbollistët shkodranë që më mirëpritën në skuadër dhe më bënë pjesë të saj, duke filluar nga Grima, Lici, Osja, Kotrri, Beqiri, Sinani, Belisha, Kaçi, Teli etj, për të vazhduar edhe më drejtuesit e gjithë të tjerët.
– Aktualisht me çfarë merreni sot?
– Tash jam trajner i moshave tek Klubi im “FC ARENA” në Pejë dhe njëkohësisht, më kanë përzgjedhur këtë vit si selektor i Kombëtares së Kosovës për Grupmoshat U-15 për zonën e Pejës. .
– Dhe e fundit, keni një mesazh për tifozët shkodranë?
– Mesazh im është ky: Jam krenar që kam qenë pjesë e Vllaznisë dhe e tifozërisë së saj. Të them të drejtën, respektin që kam unë nga tifozët, njerëzit dhe gjithë qyteti aty me të vërtetë më bën njeriun më të lumtur në Botë sepse të jesh i vlerësuar nga një qytet si Shkodra është nder dhe privilegj. I falenderoj të gjithë, ju jam mirënjohës gjithë jetën time .
Gjergj KOLA