Ish-futbollisti i Vllaznisë, Ilir Nallbani, u ka bërë një analizë nëntë javëve të parë të ecurisë së ekipit shkodran. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ai është shprehur se te lojtarët mungon impenjimi në nivelin e kërkuar. Ajo që duhet të rregullohet sipas tij është pikërisht impenjimi i lojtarëve, që ata të japin gjithçka nga vetja e tyre.

Pavarësisht kritikave, ish-mesfushori nga Peja, që ka luajtur për 4 sezone me Vllazninë, ka besim se kuqeblutë mund të zënë një vend në katërshen e më të mirave për t’u kualifikuar në fazën finale të Superiores.


E keni ndjekur Vllazninë? Si ju është dukur?

Po, e kam ndjekur vazhdimisht. Mund të ketë mbetur ndonjë takim pa e ndjekur direkt, por mund të them se i kam ndjekur me mjaft vëmendje në këtë fazë të parë. Mendoj se deri më tani Vllaznia ka zhvilluar takime të nivelit mesatar. Pikësëpari tifozët nuk ishin të kënaqur me trajnerin, nisur nga e shkuara, por them se gjërat më pas u stabilizuan disi. Mirëpo më kalimin e javëve nuk shkuan siç edhe priteshin, pasi herë pas here skuadra ka pasur luhatje.

Ku i shihni problemet e kësaj skuadre të Vllaznisë?

Futbollistët duhet të marrin me seriozitet çdo takim dhe të paraqesin autoritet, si dhe të tregojnë profesionalizëm. Ato duhet që të kishin përfituar edhe prej gabimeve të kundërshtarëve.

Pra sipas jush, po u mungon grinta lojtarëve kuqeblu?

Nëse ato tregojnë në ndeshje e në stërvitje maksimumin, edhe në rast humbjeje qëndron njëfarë justifikimi. Në të kundërt disfatat lënë shenjë edhe më të keqe. Ata duhet të dinë se kanë veshur një fanellë të rëndë dhe shumë të respektuar. Kur të jenë në fushë, ata duhet të japin jo 100%, por 200%. Ndryshe nuk mund të fitojnë edhe zemrën e tifozëve të mrekullueshëm shkodranë. Nëse nuk japin maksimumin, atëherë të mësohen dhe të mbajnë edhe kritikat. Kur kanë firmosur me këtë fanellë, duhet që të mësohen dhe ta dinë se ku janë dhe çfarë presioni do të ketë. Futbollistëve po u mungon angazhimi. Ata duhet që të angazhohen më shumë. Pjesën tjetër e di më mirë trajneri dhe stafi.


Si ju duken afrimet e Vllaznisë në merkaton e verës?

E thashë edhe më lart, kush firmos për këtë fanellë, duhet ta dijë mirë se çfarë e pret.


Çfarë do të thotë Vllaznia dhe Shkodra për ju?

Unë kam arritur kulmin tim si futbollist te Vllaznia për 5 vite me radhë. Kur përmend Vllazninë, kam emocione të papërshkruara. Vllaznia është gjithçka për mua. Kam respektin maksimal për atë klub dhe atë qytet.


E shikoni ekipin kuqeblu në katërshen finale të kampionatit?

Kam besim se po. Me më shumë shpirt garë të lojtarëve në fushë dhe me shumë punë mund të arrihet edhe ky objektiv, për të tentuar më pas gjithçka në fazën finale të këtij kampionati, sipas formulës së re.