Në adresë të tij ka patur jo pak kritika për formën që po kalon në ndeshjet e fundit, megjithatë Demir Imeri është i vendosur për të shkuar përpara, ashtu si dhe Vllaznia e cila vërtetë nuk ka marrë rezultatet e duhura së fundi, por mund t’ia dalë në arritjen e objektivit të saj.

Shqiptari i Maqedonisë së Veriut ka qenë sot përkrah trajnerit Brdariç në konferencën e shtypit të pragndeshjes me Bylisin për të cilën ka thënë se Vllaznia do të tentojë fort për të marrë fitoren.


– Çfarë po ndodh me Vllazninë në këto ndeshjet e fundit?

Mendoj që kemi bërë shumë mirë. Na mungon si i thonë vetëm ai 30-metërshi i fundit dhe ai goli të shtyhet në rrjetë. Besoj që na ka kthyer fati pak shpinën, por me ndihmën e Zotit ,punën që jemi duke bërë, besoj që do ta kthejmë dhe do ta bëjmë më të mirën.

– Keni qënë njëri prej lojtarëve më të krituar, qoftë edhe nga tifozëria por edhe nga të tjerët. Si jeni ndjerë këto ditë?

Ne jemi profesionista, nëse nuk mund ta mbajmë këtë barrë, mund që lirisht të dorëzohemi. Ne kemi qënë këtu në vënd të parë. Kemi kallëzuar që kemi mentalitet fituesi, jemi profesionista dhe ne bëjmë punën tonë dhe vazhdojmë përpara.

– Presioni ndaj skuadres eshte i madh. Ju personalisht si ndiheni?

Kjo është normale. Ne jemi mësuar me këtë presion. Do ta mbajmë dhe do të bëjmë më të mirën tonë.

– Sfida me Bylisin besoj eshte shumë e rëndësishmë. Eshte e përgatitur Vllaznia për të kaluar me sukses ate?

është e vërtetë. Jemi të vetëdijshëm se çfarë ndeshje po na pret nesër, jemi përgatitur maksimalisht. Objektivat e Vllaznisë i dimë të gjithë. Nesër na mbetet vetëm të japim më të mirën. Nuk flasim shumë po do të flasim në fushë. Do të marrim 3 pikët.

– Vllaznia ka dhënë prova ndaj Ballshit se mund te fitoje. Do ta fitoni edhe këte takim?

Unë shpresoj që ta mbarojmë më herët se aq. Do të ishte edhe më mirë, por edhe ajo nuk do të ishte keq. E mira është që të themi me maksimumin gati, sepse tashmë e dimë se është sprinti final. Besoj që djemtë janë të gjithë gati dhe mezi presim të japim më të mirën.

– E ndjeni kërcënimin e Tiranës?

Ne shikojmë vetëm punën tonë. Ne kemi qënë 28 javë para dhe do të shohim ekipet para dhe jo ato pas.

– Ka ardhur momenti i golit per Imerin?

Shpresoj që dhe nesër të shënoj.