Mëngjesin e sotëm jemi zgjuar me një lajm të hidhur. Legjenda e volejbollit shkodran dhe atij shqiptar Ali Bushati ka ndërruar jetë në moshën 78 vjeçare. Ai vuante prej gati një muaji nga një sëmundje e rëndë dhe ka qenë i shtruar në Spitalin Rajonal Shkodër, me shpresën e përmirësimit të shëndetit të tij, por kjo nuk ka ndodhur dhe për rrjedhojë i ka dhënë lamtumirën të gjithëve.
Me këtë rast edhe gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bushati për humbjen e njeriut të saj të dashur, por edhe SK Vllaznisë për ndarjen nga jeta të njërit prej personaliteteve më të mëdha të tij.
Ali Bushati ka lindur ne 24 tetor 1942 Shkoder me dhe zgjedh te merret me volejboll, sport me te cilin ka bere emer dhe per te cilin e ka njohur e gjithe Shqiperia si nje nga volejbollistet me te talentuar te saj.
Ai ka zhvilluar rreth 60 ndeshje ndërkombëtare (25 me ekipin përfaqësues). Për 7 vjet Vllaznia e Ali Bushatit (trajner-lojtar), Franc Jakovës (trajner) Tonin Fistanit, Sandër Palokës, Viktor Jubanit, Mark Grimcit, Xhelal Haxhit, Bato Lashovës etj rivalizojnë për titull me Dinamon. Kjo e fundit e huazonte përherë në ndeshjet e Kupës së Kampioneve të Europës.
Padyshim, Bushati ka bërë epokë në volejbollin shkodran dhe mbetet figura më e madhe e këtij sporti në Shkodër. Ai është fokusuar dhe zgjedhur në 10 figurat më të mëdha të shekullit të njëzet . Njeriu i virtuozitetit të topit në rrjetë është futur në gjashtëshen shekullore të volejbollit shqiptar dhe renditet i katërti në Shqipëri pas Asllan Rusit, Dashamir Fagut dhe Petrit Murzakut.
Shpirti i lartë i garës, lufta e fortë sportive, egoja për fitore, vlerësimi maksimal për çdo ndeshje, lojtari me cilësi universale si shuter, pasues, organizator, njohës e veprues i shkëlqyer i bllokut, kanë qenë karakteristikat kryesore të tij, për të cilat është vlerësuar me këtë titull të lartë.
Ceremonia e varrimit te tij eshte sot ne oren 15.30. I perjetshem qofte kujtimi yt Ali Bushati!