Arbitrat dhe asistentët e Abissnet Superiore po zhvillojnë disa trajnime për të marrë çertifikimin si VAR dhe AVAR. Plot 11 arbitra dhe 25 asistentë janë përfshirë tashmë në këtë proces në mënyrë që të jenë të gatshëm të japin kontributin e tyre në pjesën e dytë të sezonit.

Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë për moshat U-17 dhe U-19 po zhvillohen nën kujdesin e VAR-it, që shërben gjithashtu edhe si trajnim për arbitrat, që i konsiderojnë mjaft të vlefshme, për t’u zhvilluar edhe më tej rreth kësaj risie që ka sjellë më pak gabime në fushën e lojës.

Shkodrani Indrit Myrtja, arbitër në Abissnet Superiore, në një prononcim për fshf.org, e konsideron si shumë të rëndësishëm këtë trajnim mbi sistemin VAR, që i ka ndihmuar arbitrat të minimizojnë gabimet. “Për këtë sezon është një risi në futbollin shqiptar implementimi i sistemit VAR.

Duke parë që në këto 16 javët e para të kampionatit, sistemi VAR na ka ndihmuar shumë ne si arbitra, na ka ndihmuar për të minimizuar gabimet, është tepër i rëndësishëm dhe për këtë arsye edhe pjesa tjetër e arbitrave të Abissnet Superiore po trajnohen. Mendoj që është një trajnim shumë i rëndësishëm” – shprehet Myrtja.

Gjyqtari shqiptar pranon që përshtatja me këtë risi të implementuar nga FSHF-ja ka qenë e vështirë, por puna e arbitrave thotë ai ka qenë e mirë përgjatë këtyre javëve dhe VAR-i do i ndihmojë edhe në të ardhmen. “Përshtatja me sistemin VAR ka qenë pak e vështirë sepse ky është sezoni i parë. Por kemi rreth 1 vit e gjysëm që trajnohemi rreth VAR-it dhe normalisht që ka pasur vështirësitë e veta, por besoj që kemi bërë një punë shumë të mirë gjatë kësaj periudhe, duke pasur edhe rezultate shumë të mira në këto 16 javë të para të Abissnet Superiore.

VAR-i ndërhyn kur arbitri gabon qartë dhe dukshëm. Sigurisht që ne na ka ndihmuar shumë në këtë sezon, duke minimizuar gabimet tona. Dhe duke parë edhe javët e para që ne kemi bërë një punë të mirë dhe ka dalë rezultativ sistemi VAR, mendoj që është i duhur dhe do na ndihmojë edhe në të ardhmen”- shprehet Myrtja.