Vllaznia U21 ka marrë ditën e djeshme një fitore me goleadë 5-0 përballë Apolonisë. Një ndër protagonistët e takimit ishte Joald Ivziku, i cili ka qenë një ndër autorët e golave të ndeshjes së djeshme.

Ivziku në një intervistë për ‘Shkodra Sport’ shprehet i lumtur që është zhbllokuar dhe synimi i tij personal është që sa më parë të bëhet pjesë e ekipit të parë.

“Jam shumë i lumtur që shënova sepse po kaloja një ngërç dhe shpresoj të jem zhbllokuar. Mendoj se të gjithë në skuadër jemi të barabartë dhe të gjith janë premtues. Synimi im normal siç e kam thënë edhe herë të tjera është që të vazhdoj te ekipi i parë i Vllaznisë”,-shprehet ai.

I pyetur rreth skuadrës, Ivziku thotë se ekipi mund të ia dalë që këtë vit të shpallet kampion, pasi kanë një grup lojtarësh të mirë.

“Çdo ndeshje për ne është e rëndësishme, pasi pozicioni në tabelë nuk na lejon të gabojmë për të arritur objektivin tonë që të shpallemi kampion. Me grupin dhe trajnerët që kemi besoj që po mund të ia dalim ta fitojmë, por nuk duhet të ngutemi sepse kemi nëntë ndeshje para. Ne po punojmë për çdo ditë, grupi është i mirë, ndeshjet e fazës së parë e kanë treguar që mundësitë janë dhe besoj që është i arritshëm titulli”,-thekson Ivziku.

Sulmuesi flet edhe për bashkëpunimin me trajnerin Sibson, për frymën dhe mentalitetin që ka futur anglezi në skuadër, gjë që ka ndikuar pozitivisht edhe te lojtarët e tjerë.

“Eshtë e vërtetë që profesor Sibson ka futur një frymë të re, në ekip ka harmoni dhe të gjithë shkojmë mirë me njëri-tjerin, besoj përveç anës stërvitore, këtu na ndihmon edhe profesor Borshi i cili na mban afër dhe të bashkuar, ndërsa për pjesën e profesor Sibson ka futur një mentalitet fituesi dhe kjo ndoshta shikohet edhe në rezultatet e ndeshjeve të zhvilluara”,-thotë ai.

Në mbyllje, Ivziku ka edhe një dedikim për golin e realizuar dje ndaj Apolonisë dhe shpalos edhe objektivin e tij personal.

“Objektivi im është të shënoj sa më shumë dhe të ndihmoj ekipin në objektivat që ka. Dedikimi shkon gjithmonë për familjen dhe njerëzit e mi të afërt”,-mbylli sulmuesi i Vllaznisë U21, Joald Ivziku.
Maringlen ZHIVANI

in