Do të luhet të mërkurën në mbrëmje në orën 21:00 në stadiumin “Olimpico” të Romës, finalja e këtij edicioni të Kupës së Italisë, përballja Inter-Fiorentina. Të dyja skuadrat synojnë që të bëjnë të vetin trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin italian, ku do të përplasin brirët për herë të parë në një finale të këtij kompeticioni.

Ndërkohë që interesi ka qenë i shumtë nga të dyja palët, dhe me dy ditë nga starti i ndeshjes, janë shitur të gjitha biletat. Mediat italiane bëjnë me dije se kërkesat kanë qenë shumë më shumë nga sa vende ka “Olimpico”, dhe tifozët që do të udhëtojnë si nga Firence ashtu edhe nga Milano kanë bërë që biletat të avullojnë direkt.

Kjo do të jetë finalja e 15-të e Interit në Kupën e Italisë, vetëm Juventusi (21) dhe Roma (16) kanë luajtur më shumë finale në këtë turne.

Për Fiorentinën kjo është finalja e 11-të në Kupën e Italisë dhe “vjollcët” synojnë të fitojnë trofeun për herë të parë që nga sezoni 2000/2001. /oversport.tv

Foto: Lega Serie A, Facebook