Interi ka siguruar pak ditë më parë shërbimet e sulmuesit belg Romelu Lukaku, por duket se trajneri Konte kërkon edhe të tjera përforcime në sulm. Mediat italiane, raportojnë se zikaltërit kanë hequr dorë nga Edin Xheko pasi kërkesat e Romës nuk përputhen me ofertat e Interit, duke e bërë operacion thuajse të pamundur.

Kështu, Konte ka kërkuar nga drejtuesit që t’i sjellin sulmuesin serb Luka Joviç i cili u transferua këtë verë në Madrid. Sulmuesi Joviç nuk duket se mund të përshtatet me skemat e trajneri Zidan dhe në këto kushte, mund edhe të largohet nga Madridi.

Drejtuesit e Realit synojnë që ta huazojnë këtë verë sulmuesin, ndërkohë që Interi duket gati ta huazojë me të drejtë blerje në fund të sezonit. Aktualisht, gjithçka është në kuadrin e spekulimeve në Itali, por ditët në vijim pritet që të ketë edhe të tjera zhvillime. Kujtojmë që Interi nuk ka kujtime shumë të bukura nga Joviç, pasi arriti t’i shënonte në “San Siro” duke e eliminuar nga Liga e Europës. /vipsport/