Ndodh edhe kështu. Reshjet e shumta të shiut që kanë rënë gjatë ditës së sotme në Veriun e Shqipërisë, kanë bërë që dy ndeshje futbolli të ndërpriten ose të mos zhvillohen fare. Ka ndodhur kështu në Shkodër dhe Pukë teksa dy takime të planifikuar për kampionatet e moshave dhe atë të kategorisë së parë, nuk kanë mundur dot të luhen për shkak të përmbytjeve të fushave të futbollit. Kështu, në Shkodër ishte planifikuar që në orën 12.00 të niste ndeshja e kampionatit U-19 ajo në mes Vllaznisë dhe Internacional por pikërisht në ato momente kanë shpërthyer reshje të shumta shiut të cilat kanë përmbytur fushën “Reshit Rusi”.

Futbollistët e të dy ekipeve, arbitrat dhe delegati i ndeshjes kanë pritur disa minuta që shiu të pushonte dhe pasi kjo nuk ka ndodhur, kanë vendosur të vendosin për moszhvillimin e takimit sepse tapeti i fushës nuk e lejonte një gjë të tillë. E njëjta situatë edhe në Pukë në ndeshjen Tërbuni- Besëlidhja. Aty në fakt ndeshja ka nisur por ka zgjatur vetëm dy minuta sepse e njëjta situatë është përsëritur. Shiu ka përmbytur fushën e stadiumit “Ismail Xhemali” dhe për rrjedhojë është vendosur që ndeshja të ndërpritet.

© shkodrasport.com