Interi ka regjistruar një tjetër fitore të thellë sot në transfertë me Sassuolon, duke triumfuar me 5‑0 në një ndeshje ku skuadra e drejtuar nga Kivu tregoi organizim dhe efikasitet të lartë, përballë një ekipi që shpesh në të kaluarën i kishte shkaktuar probleme.
Zikaltrit nisën sfidën me disa momente vështirësie përballë presionit vendas, por shumë shpejt morën kontrollin e takimit. Yann Bisseck hapi rezultatin me një kokë të saktë pas një harkimi të Federico DiMarco, ndërsa vetëm pak minuta më vonë Marcus Thuram dyfishoi avantazhin, gjithashtu i asistuar nga DiMarco.
Sassuolo tentoi të rikthehej në lojë, por një gol i Kristian Thorstvedt u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje. Pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë për Interin, dhe shpejt u shfaqën golat e Lautaro Martínez dhe Manuel Akanji, të cilët vulosën avantazhin dhe mbyllën çdo shans për vendasit.
Situata për Sassuolon u rëndua edhe më shumë kur Nemanja Matiç mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua për fyerje ndaj gjyqtarit, duke i lënë vendasit me 10 lojtarë.
Në minutat e fundit, Luis Henrique shënoi golin e pestë për të vulosur rezultatin përfundimtar 5‑0. Me këtë fitore, Interi forcon kreun e klasifikimit dhe vazhdon të tregojë formë të shkëlqyer në Serie A, duke mbajtur ndjekësit larg me një avantazh të qartë.


