Yann Sommer është zyrtarisht futbollist i Interit. Portieri i kombëtares së Zvicrës u bashkohet zikaltërve për 6 milionë euro, pagesë që do të shlyhet në disa këste.

“Ka fëmijë që ëndërrojnë të bëhen sulmues të mëdhenj, ndërsa të tjerë kanë lindur për të luajtur në portë: Yann Sommer i përket kategorisë së dytë”, është fjalia hyrëse e njoftimit për shtyp të Interit.

“I lindur më 17 dhjetor 1988 në Morges, Zvicër, Sommer u rrit në Bazel me mikun e tij, Roger Federer.Babai dhe xhaxhai i tij luanin si portierë. Që në stërvitjen e tij të pare, kur ishte 4 vjeç, Yann u vendos në portë, ku fëmijët e tjerë donin të shënonin…

I pasionuar pas muzikës, gatimit, arkitekturës dhe fotografisë, Sommer është një personazh i shumanshëm brenda dhe jashtë fushës: Yann është një portier i aftë në lojën me këmbë, por edhe i talentuar me reflekse dhe intuitë të shkëlqyera.

Sezonin e kaluar ai vendosi rekordin e pritjeve në një ndeshje të Bundesligës: plot 19 kundër Bayernit të Mynihut. Yann ka marrë pjesë në tri Kupa Bote dhe dy Kampionate Evropiane. Përvoja, lidershipi dhe përkushtimi janë cilësitë që Sommer është gati t’i demonstrojë edhe te zikaltrit.