“Socios.com”, një kompani e lidhur me kriptovalutën, do të jetë sponsori kryesor i Interit. Emri që do të vendoset në fanellën zikaltër do të zëvendësojë legjendarin Pirelli, që ka qenë i lidhur prej 26 vitesh me ekipin italian, një rekord ky për botën sportive.

Marrëveshja e zyrtarizuar ditën e sotme do t’u sigurojë zikaltërve më shumë se 20 milionë euro në sezon, pavarësisht kërkesës prej 30 milionë eurosh që Interi kishte para pandemisë.

Kjo shifër pritet të arrihet duke shtuar “Lenovo”-n, ish-sponsor teknik që tani qëndron në pjesën e pasme të fanellës për 5 milionë euro plus bonuse dhe partnerin që do të shfaqet në mëngë, i cili ende nuk është përcaktuar.

“Socios.com” përmes teknologjisë inovative “blockchain” ndihmon klubet e futbollit për të arritur një transformim të rëndësishëm dixhital, duke përfshirë tifozët e tyre përmes “shenjave të tifozëve”, që janë shenja specifike për secilin klub dhe të disponueshme në numër të kufizuar, duke krijuar kështu edhe një lidhje edhe më të ngushtë mes tifozëve dhe ekipeve.