Besëlidhja e Lezhës ka shkruar mbrëmë historinë duke fituar të parin titull kampion në historinë e basketbollit të meshkujve dhe duke e shkruar emrin në “Librin e Artë” të këtij sporti. “Arkitekti” i kësaj skuadre është një shkodran: Afrim Bilali. Ai ka ditur të ndërtojë skuadrën e duhur dhe si rrjedhojë rezultatet erdhën.

Përveç titullit kampion, për t’u përmendur është fakti se skuadra lezhjane ka zhvilluar 27 ndeshje në këtë kampionat dhe i ka fituar të gjitha duke vendosur një rekord më vehte. Bilali është njeriu i sfidave. Ka provuar të shpallet kampion si lojtar me një skuadër pa emër si Valbona dhe tashmë e provon edhe si trajner duke fituar titullin e parë me një skuadër si Besëlidhja.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shkodra Sport” trajneri i Besëlidhjes ka rrëfyer emocionet e këtij suksesi dhe po ashtu ka folur edhe për projektet e së ardhmes. Për më shumë lexoni intervistën e tij:


– Afrim, me ne fund i lehtesuar sepse e arritet objektivin?

Po, me thanë të drejtën ndjehem i lehtësuar dhe i realizuar. I lehtësuar normalisht sepse ishte një kampionat i gjatë dhe pati edhe vështirësitë e veta. E filluam punën shumë herët dhe falë Zotit e përmbyllëm me sukses me arritjen e objektivit kryesor, fitimin e titullit kampion.

– Megjithatë, besoj se nuk e kishit çuar ndër mend që do të kishit këto statistika të frikshme prej 27 ndeshjesh të luajtura dhe 27 fitoresh të arritura?

Të jem i sinqertë, unë e kam diskutuar edhe me klubin dhe i kam thanë që këtë vit do ta mbyllim me zero humbje. Kjo gjë u përmend edhe mbrëmë tek festa që bëmë me djemtë kur ma kujtuan që i kisha thënë Bordit se sfida ime këtë vit ishte ta mbyllja kampionatin pa e njohur shijen e hidhur të humbjes dhe kështu ndodhi.


– Ku e bazonit këtë gjë?

Kuptohet që të kalosh në këtë nivel me këto shifra prej 27 ndeshjesh pa asnjë humbje, është një punë e madhe, një punë e gjatë. Sigurisht edhe e vështirë sepse jemi stërvitur dy herë në ditë, por ka patur njëkohësisht edhe një impenjim maksimal si nga ana e drejtuesve të klubit, nga ana e stafit teknik, lojtarëve gjithashtu dhe mendoj që mundi dhe puna jonë u shpërblye me këto rezultate që mendoj se është një kohë e gjatë që nuk përsëriten. Me shumë mundësi, ka mbi 15 vjet që asnjë skuadër nuk i arrin këto shifra që kemi arritur ne me Besëlidhjen.

Shprehjen e dëshirës për ta mbyllur kampionatin pa humbje e kam mbështet mbi të gjitha tek lojtarët që kam patur në ekip. Duke filluar nga baza e saj, lojtarët vendas që janë djem të mirë dhe profesionistë të vërtetë, me integritet e karakter, me dëshirë për të fituar dhe për t’u stërvitur çdo ditë me intensitet. Gjithashtu edhe tek lojtarët amerikanë të cilët i janë bashkangjit këtij grupi shqiptarësh në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kanë krijuar një kimi në ekip të cilën realisht unë e admiroj dhe shpresoj shumë që ta kemi edhe në vazhdim sepse edhe falë saj unë e kam patur më të lehtë punën me to dhe kjo ka sjellë këto rezultate dhe titullin kampion.


– Besëlidhja një realitet i ri i basketbollit shqiptar që tashmë shkruan emrin në “Librin e Artë”. Ky nuk do të jetë trofeu i vetëm besoj?

Unë shpresoj shumë, nisur edhe nga bisedat që kemi patur me Bordin drejtues se projekti do të vazhdojë. Fjalët janë të mira dhe puna do të vazhdojë me të njëjtin intensitet, për të mos thënë që investimi do të jetë akoma edhe më i madh sepse njerëzit që po e mbështesin këtë ekip kanë dëshirë, ego dhe ambicie që ai të shkojë akoma edhe më lart sesa thjesht të shpallet kampion Shqipërie. Siç dihet, çdo gjë duhet ta ketë një fillim dhe Besëlidhja e pati fillimin të suksesshëm sepse në këto dy vjet ajo ka qenë kryefjala e basketbollit shqiptar.

Ndërkohë dje ne e përmbyllëm këtë rrugëtim me sukses duke u shpallur kampionë të Shqipërisë, por menjëherë pas këtij suksesi bashkë me drejtuesit kemi vendosur disa piketa për sezonin e ardhshëm të cilat janë gjithmonë premtuese për një ekip sërish pretendent në mënyrë që sërish të bëjmë diferencën në kampionatin shqiptar.


– Projekti thatë që do vazhdojë, por do ishte bukur që të luanit dhe t’i gëzonit tifozët tuaj duke luajtur në Lezhë. Ka ndonjë premtim për ndërhyrje në infrastrukturë?

Mesa kam informacion, përpjekjet e kryetarit të Bashkisë janë të mëdha për të bërë një pallat sporti në Lezhë në mënyrë që edhe ekipi i Besëlidhjes të jetë pranë tifozëve të tyre. Në fakt njëlloj infrastrukture është në këtë qytet, por normalisht me përmasat dhe sukseset që ekipi po korr, duhet një pallat i mirë, me standartet dhe çertifikimet e FIBA-s në mënyrë që të mos kemi asnjë problem për zhvillimin e ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Premtimi është bërë dhe shpresoj shumë që një pallat ri sporti në Lezhë do të jetë një zhvillim i madh jo vetëm për basketbollin, por për gjithë qytetin.


– Kujt ia dedikon Afrim Bilali këtë sukses të parë si trajner sepse dje gjatë ceremonisë ju pamë shumë të entuziasmuar?

Në radhë të pare falenderoj Zotin për këtë sukses. Pastaj dedikimi i parë është për nusen dhe djemtë e mi të cilët më kanë mbështetur në këtë rrugëtim jo të lehtë, prindërit e mi që janë gjithmonë prezent edhe pse jo fizikisht.
Ia dedikoj drejtuesve të klubit me në krye kryetarin e Bashkisë z. Pjerin Ndreu, presidentin e ekipit Ylli Ujka, atyre që na kanë mbështetur gjatë këtyre dy viteve, ia dedikoj stafit teknik dhe mjekësor, lojtarëve të cilët dhanë çdo gjë për këtë trofe.
Ia dedikoj atyre që na kanë ndjekur dhe mbështetur në çdo ndeshje.


– Kampion si lojtar me një ekip të vogël si Valbona, kampion si trajner me Besëlidhjen. Duket se ju shijojnë sukseset me ekipet pa emër të madh?

Faktikisht më pëlqejnë sfidat dhe si me Valbonën ashtu edhe me Besëlidhjen, në të rastet kur unë kam firmosur kanë qenë të dyja në vend të pestë dhe kjo më shtyn akoma edhe më tepër për të dhënë më shumë dhe falë Zotit ia kemi dalë si me Valbonën ashtu edhe me Besëlidhjen që të shpallemi kampionë.

– Në suksesin e Besëlidhjes ka sërish pak “aromë Shkodre”, sepse dy pjestarë të saj, ju dhe Robert Shestani dhatë kontributin tuaj…

E vërtetë është që në këtë sukses ka edhe pak “aromë Shkodre”, por që nuk do të ishte i mundur ky sukses pa mbështetjen e Bordit Drejtues të ekipit dhe pa angazhimin maksimal të të gjithë lojtarëve dhe jo vetëm timin apo dhe të Robert Shestanit. Unë jam krenar për këtë ekip që kemi ndërtuar dhe për këtë sukses që kemi arritur.


– Edhe diçka të fundit, çfarë do t’i ndryshoni Besëlidhjes për sezonin e ri? Do të mbani të njëjtin kontigjent lojtarësh?

Një gjë është e sigurtë që bërthama e lojtarëve shqiptarë do të qëndrojë sepse janë me kontrata afatgjata. Do të mundohemi të mbajmë edhe dy nga katër amerikanët që janë aktualisht pjesë e skuadrës dhe do mundohemi që dy përforcime të tjera të jenë të një niveli shumë të lartë dhe të kemi një ekip pretendent serioz jo vetëm për në Shqipëri, por edhe më tej.
Intervistoi: Gjergj KOLA