Vitet e fundit, një ndër arbitrat e rinj shkodran dhe që premton shumë për të ardhmen, është Ardit Çobaj. Tashmë, prej pak vitesh, ai ka nisur rrugëtimin e tij si arbitër dhe kuptohet që ka ëndrra të mëdha.

Çobaj vjen nga Akademia e Arbitrave të Shkodrës dhe është çertifikuar si arbitër nga FSHF prej pak vitesh. Fillimi kuptohet që për të ka qenë i vështirë, por sot pas pak viteve, ai ka patur një karrierë gjithnjë në rritje e të suksesshme me shumë ndeshje dhe poashtu edhe me rritje kategorie, duke arbitruar përballje të Kategorisë së Parë apo edhe ndeshjet e ekipeve të Superiores në Kupën e Shqipërisë.

Pak nga pak, Çobaj po ngjit shkallët e arbitrimit, teksa nga ana teorike dallohet për një nivel të lartë, përveç përgatitjes fizike shumë të mirë. Ai është një arbitër-assistent që në një të ardhme të afërt me shumë siguri, do ta shohim duke arbitruar edhe në Superiore, pasi arma e tij më e fortë duket se është autoriteti që kërkon të vendosë në fushë. Jo më kot, Arditi shihet si një arbitër me perspektivë dhe të ardhme.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Çobaj flet për këtë rrugëtim dhe rrëfen se si e nisi karrierën e arbitrit dhe momentet më kyçe të karrierës së tij. Gjithashtu, ai ka edhe një mesazh për të gjithë arbitrat e rinj shkodran dhe jo vetëm. Për më tepër, lexoni intervistën e tij për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.


-Çobaj, duket se jeni një arbitër që premton shumë për të ardhmen, si u afrove pranë arbitrimit dhe si nisi karriera jote?

Në arbitrim u afrova në vitin 2016. Dëshira dhe pasioni për të ndjekur futbollin e vazhdova nëpërmjet rolit të arbitrit. U afrova edhe falë mbështetjes së disa shokëve të mi që ishin arbitra. Si çdo gjë e re në jetë, edhe në arbitrim, fillimi normalisht ishte i vështirë, por me kalimin e kohës dhe me mbështetjen e drejtuesëve të Kolegjiumit të Arbitrave Shkodër dhe drejtuesëve të FSHF, gjërat u bënë më të thjeshta. Karriera normalisht nisi në kategoritë më të ulëta, ku ndoshta edhe vështirësia është më e madhe.


-Edhe pse karriera juaj ka nisur vitet e fundit dhe ju pret një karrierë e gjatë përpara, si e vlerësoni rrugëtimin tuaj deri në këtë moment?

Unë mendoj se duke qenë se që në moshë të vogël jam marrë me këtë sport, gjërat mund të kenë qenë më të lehta, sepse e njihja futbollin. Deri tani, karriera ime ka qenë e mirë. Pas gjashtë vitesh, unë jam në Kategorinë e Parë dhe kam arbitruar edhe ndeshje miqësore ndërkombëtare. Kam arbitruar vazhdimisht, gjë që më ka ndihmuar të rritem.


-Kohët e fundit keni arbitruar shumë ndeshje në Kupën e Shqipërisë, Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë, si i keni përjetuar këto përballje që ju keni gjykuar?

Siç e thashë edhe më lart, aktivizimi dhe mbështetja që kam pasur, më kanë ndihmuar shumë që të kem siguri dhe eksperiencën e duhur që t’i kaloj me sukses ndeshjet. Sigurisht, çdo ndeshje ka edhe emocionin e vet, pozitiv dhe negativ.

-Cilin mbani mend si momentin më të bukur të karrierës tuaj deri tani dhe ndoshta edhe momentin më të vështirë nëse ka pasur një të tillë gjithmonë?

Po ja nis nga momenti i vështirë, sepse e kam më kollaj, pasi deri më sot nuk kam pasur një të tillë fatmirësisht. Sa i takon momenteve të bukura ka disa, sepse çdo ndeshje duhet vlerësuar dhe sigurisht ka emocionet e saj, pozitive dhe negative. Sigurisht, ndeshjet e skuadrave të mëdha kanë emocione më shumë, sepse edhe tifozëria dhe stadiumet janë në një nivel më të lartë.

-E fundit Ardit, a keni një mesazh për kolegët dhe të rinjtë që aspirojnë të ndjekin rrugën e bukur të arbitrimit?

Të jesh arbitër është një ndjesi e veçantë, sepse ke rol kyç në mbarëvajtjen e një ndeshje futbolli. Realisht, futbolli është sporti më i ndjekur në botë dhe sigurisht, tifozëritë janë të mëdha dhe sytë të gjithë i kanë tek njerëzit që vendosin drejtësi. Sigurisht, kjo gjë e tillë ka emocionet e veta. Personalisht, unë ftoj çdo të ri që ka dëshirë të ndjekë futbollin, t’i bashkohet rrugës së bukur të arbitrimit, sepse përveç pasionit, sigurisht ka edhe përfitimet financiare. Çdo kolegu i uroj suksese në këtë rrugë të bukur që ka ndjekur.


-Ardit faleminderit dhe suksese në rrugën tënde drejt arbitrimit!

-Shumë faleminderit ju Maringlen!
Intervistoi: Maringlen ZHIVANI