Skënderbeu i Korçës është shpallur kampion i Kategorisë së Parë për këtë sezon pak ditë më parë. Kështu, e veçanta e këtij suksesi është fakti që pjesë kryesore e ekipit kampion të Kategorisë së Parë ka qenë edhe tre shkodranë.

Fjala është për mbrojtësin Dritmir Beci dhe dy sulmuesit Ardit Nikaj e Uendi Vecaj. Padyshim, një nga futbollistët më me të ardhme tek Skënderbeu është sulmuesi shkodran Ardit Nikaj.

21-vjeçari kaloi momente të mira me bardhekuqtë këtë sezon dhe si rrjedhojë, herë pas here i është dhënë besimi maksimal nga ana e trajnerit Ivan Gvozdenoviç. Ai punon fort në stërvitje dhe e ka të qartë se për t’u rritur si futbollist, duhet shumë punë dhe prandaj është i përkushtuar maksimalisht në këtë drejtim.

Ndërkohë, Nikaj në një intervistë për “Shkodra Sport” ka folur për ecurinë e deritanishme të tij dhe poashtu edhe për planet për të ardhmen. Sulmuesi shkodran u shpreh se ishte një kënaqësi e veçantë që të shpallej kampion me Skënderbeun, ndërsa theksoi se shumë shpejt mund të largohet për të luajtur jashtë Shqipërisë.


– Ardit, kurorëzuat një sezon fantastik me Skënderbeun ku morët edhe titullin kampion të Kategorisë së Parë, çfarë do të thotë për ju një gjë e tillë?

Në fakt, është një kënaqësi e veçantë për të dalë kampion, edhe pse në Kategorinë e Parë. Megjithatë, është një gjë e mirë për të gjithë, sepse pothuajse të gjithë aty tek Skënderbeu jemi futbollistë të rinj. Dalja kampion na jep motiv më tepër edhe neve.


-Ardit, duke qenë se jeni një lojtar i ri dhe me mjaft përspektivë për të ardhmen, i kënaqur me aktivizimin këtë sezon tek Skënderbeu?

Në fakt, unë kam ardhur prej një dëmtimi që më ka mbajtur rreth një viti jashtë fushave dhe më ka penalizuar. Edhe pasi vazhdova me grupin kisha shqetësime të tjera për shkak se isha shumë gjatë jashtë. Poashtu, ishte formuar baza e ekipit dhe ishte e vështirë për mua.


-Në fakt, duket se ju ka penalizuar paksa edhe dëmtimi këtë sezon apo jo, tashmë ka kaluar gjithçka apo jo?

Po, e vërtetë. Në fakt ka kaluar gjithçka dhe tashmë jam gati të jem një futbollist i formacionit bazë për sezonin e ri. Dëmtimi ka kaluar dhe jam gati për çdo përballje sezonin e ri.


-Eshtë gati Ardit Nikaj për të luajtur në Superiore pas eksperiencës së këtij sezoni në Kategorinë e Parë?

Unë gjithmonë kam qenë gati në çdo moment që skuadra ka pasur nevojë për mua dhe do bëj maksimumin edhe vitin tjetër padyshim.

-Ku e shikoni të ardhmen tuaj Ardit, pasi bëhet fjalë për një lojtar të ri dhe mjaft premtues?

E ardhmja do përcaktohet me përformancën time dhe besoj se shumë shpejt do të largohem për të luajtur jashtë Shqipërisë.

-Në një të ardhme të afërt mund të riktheheni në Shkodër për të luajtur tek Vllaznia?

Rikthimi në Shkodër gjithmonë mund të jetë i hapur për mua, por unë jam nën kontratë me Skënderbeun dhe do vazhdoj të jem aty.
Maringlen ZHIVANI