Vllaznia U-21 është shpallur pasditën e djeshme kampione e Shqipërisë për sezonin 2022-2023. Një titull mëse i merituar i këtij ekipi që edhe pse nuk e nisi mirë kampionatin, në fazën e dytë dhe të tretë, rikuperoi gjithçka, duke qenë kampione e padiskutueshme e këtij sezoni.

Një sukses mëse i meritur që ka ardhur edhe falë punës së shkëlqyer të të gjithë futbollistëve dhe në veçanti i trajnerit Elvis Plori, që tregoi edhe njëherë tjetër vlerat e tij, duke merituar një tjetër trofe. Një gjë të tillë e ka pohuar edhe drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri, në prononcimin e djeshëm pas fitimit të këtij titulli.

Drejtori i Akademisë vlerësoi fitimin e titullit kampion nga Vllaznia U-21, por edhe përspektivën e futbollistëve të talentuar shkodranë për të kaluar në ekipin e parë. Neziri u shpreh se Akademia Vllaznia korr çdo vit sukses, ndërsa theksoi se vitin tjetër ekipi i U-21 do të luajë në UEFA Champions League.

“Për çdo vit, Akademia Vllaznia po korr sukses. Ju e dini mjaft mirë një gjë të tillë, sepse kemi 10-vite bashkë. Eshtë kënaqësi një arritje e tillë të themi të drejtën, sepse është hera e parë që dalim kampionë me U-21 dhe sipas njoftimit që na ka ardhur, vitin tjetër do të luajmë në UEFA Champions League. Shpresojmë që vitin tjetër të bëjmë një bingo, sepse e kemi brezin e mirë. Futbollistët janë të mirë dhe duhet të falënderoj të gjithë çunat. Në rradhë të parë, stafin teknik, profesor Elvis Plorin me stafin e tij, sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme me thënë të drejtën.

Unë e kam shikuar para një viti në verë ekipin dhe të them të drejtën nuk kam qenë besimplotë për të arritur te ky sukses. Çdo gjë është meritë e klubit, presidentit Alban Xhaferi dhe gjithë stafit, sepse sinqerisht janë ofruar të gjitha kushtet e mundshme si për një ekip profesionist, në të gjitha llojet e mundësive që kemi pasur.

Këtë titull e fituan futbollistët që janë prodhim 100% bio i Shkodrës dhe kjo është kënaqësia që kemi ne, sepse janë futbollistët e Akademisë Vllaznia dhe kjo tregon edhe njëherë punën e mirë të të gjithë trajnerëve të Akademisë Vllaznia, jo vetëm të trajnerit Plori, por i të gjithë trajnerëve të tjerë nga U-13 deri te U-21, sepse jemi një grup i madh së bashku. Kjo na bën të lumtur padyshim. Me pak guxim, këta futbollistë ndoshta mund të jenë shumë më të mirë se shumë lojtarë që ka sot ekipi i parë i Vllaznisë.

Në fakt, derisa presidenti Xhaferi dhe stafi drejtues kanë sponsorizuar tek këta futbollistë, padyshim që ata do të jenë pjesë e ekipit të parë dhe e meritojnë plotësisht sepse janë kampionë Shqipërie. Tashmë, puna është e gjatë padyshim. Nuk janë më fëmijë, sepse janë 21-vjeçarë dhe duhet të japin 100% të tyre, sepse nuk kanë kohë më për të humbur”,-mbylli prononcimin e tij, drejtori i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri.
Maringlen ZHIVANI