Një nga elementët e spikatur këtë sezon tek Vllaznia u-19 dhe ajo U21 është Arval Maliqi. Ai është i datëlindjes 2004 por falë strategjisë së klubit, është rënë dakord që ai të luajë kundër kundërshtarëve më të mëdhenj në moshë, por po ia del me sukses

Sulmuesi anësor që ka qenë shpesh pjesë edhe e ekipit të parë, ka shënuar së fundmi një supergol në miqësoren e kuqebluve të vegjël që zhvilluan dje në Ulqin. Për “Shkodra Sport”, ai flet në një intervistë ku tregon për ecurinë që ka pasur e po ashtu objektivin e fitores nesër kundër Tiranës. Pa harruar këtu edhe ëndërrën për të luajtur në ekipin e parë të shkodranëve.


– Maliqi po luani me Vllaznia U21 ndonëse keni moshën të luani me atë U19. E keni patur të vështirë të përshtateni dhe çfarë mendimi keni për nivelin e këtyre dy kampionateve?

Mund të them që të dy kampionatet janë shumë të forta, por u21 është tjetër nivel. Tek u19 aktivizohen lojtarë me limit moshe deri në vitin 2004 ndërsa tek u21, limiti është për ditëlindjen 2001. Por luajnë edhe mbi këtë moshë apo edhe lojtarë të ekipit të parë. Fakt që të rrit motivimin dhe unë ndihem shumë mirë si me trajnerët ashtu edhe me futbollistët.


– Dje keni shënuar një gol shumë të bukur në miqësoren ndaj ekipit boshnjak, një gol i vështirë për t’u realizuar. Cila është arma juaj më e fortë?

Goli doli shumë i bukur pasi erdhi nga një aksion i mirë i ekipit. Ekzekutime të tilla i preferoj edhe në stërvitje. Si sulmues më pëlqen të gjuaj portën nga çdo kënd, pasi në fund të fundit kjo është detyra ime. Të finalizoj aksionet e ekipit.


– A do jetë Vllaznia U21 kampione ngaqë mundët edhe Bylisin kryesues dhe jeni shumë pranë tashmë?

Objektivi ynë është që këtë sezon të dalim kampion. E patjetër fitorja kundër Bylisit na motivon shumë.


-Mendoni se ka elementë tek ekipi U21 që mund të shërbejnë edhe për Vllazninë dhe Superioren?

Në kampionatin U21 ne përballemi me skuadra të cilat aktivizojnë lojtarë të Superiores. Përderisa ne si ekip jemi në vendin e dytë dhe po përballojmë sëbashku ndeshje të vështira, kjo tregon se ky ekip ka lojtarë për Superiore.

– Ty personalisht, kur do të shohim në ekipin e parë?

Jam i kënaqur që jam pjesë e organikës së Vllaznisë. Përveç aktivizimit me ekipin U21, stërvitem edhe me ekipin e parë rregullisht dhe jam aktivizuar edhe në miqësore. Futbolli patjetër është prioriteti im dhe është puna ime, pavarësisht se nuk kam akoma kontratë nga klubi. Unë stërvitem çdo ditë edhe individualisht, që të jem gati kur të vijë momenti im.


-Do fitoni nesër kundër Tiranës?

Ne hyjmë në fushë për të fituar çdo ndeshje. Dhe nesër me patjetër duam maksimumin në kryeqytet.
Intervistoi: Endri ÇINARI