Vllaznia ka mundur pasditen e sotme ekipin e Tomorit me rezultatin 2-1 në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”. Fitorja e saj ka emrin e Arsen Hajdarit, mesfushorit me tipare sulmuese, që ka shënuar dy herë në pjesën e parë, duke u dhënë kuqebluve tri pikë të tjera në garën për të kapur një vend në zonën europiane, një objektiv ende në lojë për ta. Duke shfrytëzuar edhe ndalesën e Teutës dhe Flamurtarit të shtunën, skuadra e Artan Bushatit ka dashur të rrisë kredencialet e veta në pjesën e sipërme të tabelës së renditjes.


Me fitoren 2-1 ndaj Tomorit në javën e 20-të, shkodranët ndajnë tashmë vendin e 5-të dhe të 6-të me Tiranën, në kuotë të barabartë pikësh, nga 32 secila. Diferenca e tyre me Kukësin dhe Flamurtarin është katër pikë, ndërsa nga Teuta e vendit të dytë 6 pikë. Një hendek i rikuperueshëm teorikisht, po të kemi parasysh numrin e pikëve që janë ende në lojë deri në fund të kampionatit. Në “Loro Borici”, loja e kuqebluve kësaj here ka qenë dukshëm ofensive, me dominim territorial dhe të zotërimit të topit ndaj kundërshtarit, por jo dhe aq në rastet e krijuara para portës beratase. Këta të fundit kanë arritur të barazojnë përkohësisht për rezultatin 1-1 në minutën e 23-të me anë të Mitrajt. Duke qenë se nuk kishin asnjë ngarkesë psikologjike mbi supe, pasi e kanë prerë tashmë biletën për një kategori më poshtë, futbollistët e trajnerit Muzhaj janë shfaqur të lirshëm dhe deri diku befasues për Vllazninë. Ndaj, nuk ka rezultuar edhe aq ndeshje “luksi” këtë javë për kuqeblutë, sikurse parashikohej në letër. Duhet nënvizuar fakti se kanë qenë këmbët e Hajdarit, ato që janë bërë përcaktuese. Pjesa e parë është mbyllur në shifrat 2-1, ndërsa në të dytën nuk ka pasur më zhvillime të tjera në aspektin rezultativ, pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave. Kësisoji, tri pikët e radhës, sikurse ishin të destinuara, shkojnë në llogarinë e shkodranëve, ndërsa beratasit vijojnë “rënien e lirë”, që në fakt e kanë përjetuar tërë këtë kampionat për t’u harruar. Fitorja e sotme ka qene e pesta ne shtate ndeshjet e fazes se dyte te kampionatit.