Ai ka qenë lojtari kryesor i kampionatit tek 17-vjeçarët këtë sezon duke shkëlqyer me golat e tij dhe duke ndihmuar skuadrën për realizimin e objektivave. Fjala është për Gerald Kubazin, që e mbylli sezonin me 34 gola të shënuar dhe fitoi kampionatin dhe kupën me skuadrën e drejtuar nga Gilman Lika. Për ‘Shkodra Sport’ ai flet në një intervistë për sezonin që sapo u mbyll, objektivat dhe ëndrrat e së ardhmes.
-Gerald, si fillim urime për fitoret dhe trofetë e këtij sezoni!
Ju falenderoj për urimin dhe po ashtu për interesimin e medias gjithmonë për skuadrën tonë dhe pasqyrimin e rezultateve dhe fitoreve tona.
-Sa e vështirë ishte për të ripërsëritur dopietën e sezonit të shkuar, kampionat dhe kupë?
Ishte kampionat shumë i fortë, ku kanë marrë pjesë besoj ekipet më të forta të kësaj grup moshe në vend. Mund të them se ne kishim ekipin më të fortë dhe merituam gjithçka në fundin e sezonit, kjo duke i dominuar të gjithë.
-Ke shënuar 34 gola në këtë sezon, një numër i konsiderueshëm. Përgëzime për këtë shifër.
Ka qenë një sezon shumë i mirë në aspektin personal, kam qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës, por më erdhi keq që nuk dola më i miri në kampionat megjithatë do kem ende mundësi. Për këtë arritje dua të falenderoj shokët e mi të ekipit dhe po ashtu trajnerët që kanë pasur besim tek unë.
-Pikërisht për tu ndalur tek trajneri Gilman Lika, sa e rëndësishme është për moshën tuaj të drejtoheni nga një figurë e tillë?
Të gjithë e njohin profesorin dhe atë çfarë ai ka dhënë për Vllazninë si futbollist. Besoj se të gjithë kemi pasur një bashkëpumin shumë të mirë me të dhe po ashtu trajnerin Denis Zmijani. Ishte sezon i shkëlqyer.
-Ku do e shohim Kubazin së shpejti?
Unë do punoj çdo ditë që të përmirësohem dhe të jem gati për ekipin e parë. Pastaj koha do tregojë nëse do kem sukses apo jo.
-Një ëndërr e së afërmit?
Kush është ai që është pjesë e akademisë dhe nuk do të luajë tek Vllaznia, ose edhe çdo djalë tjetër shkodran që luan në ekipet e tjera. Dua të luaj për Vllazninë dhe ekipin tim të zemrës, por gjithçka kërkon kohën e saj.
Endri ÇINARI