I pari që ka hedhur firmë për Vllazninë me rihapjen e merkatos është pikërisht mbrojtësi shkodran Egzon Shimaj. Për 20 vjeçarin në fakt është rikthim në shtëpi pas një eksperience prej dy sezonesh me Besën e Kavajës.

Ndërkohë, sot Shimaj ka dhënë të parën intervistë si futbollist i Vllaznisë teksa ka shprehur gëzimin e tij që është veshur kuqeblu, por për “Shkodra Sport” ka folur njëkohësisht edhe për konkurrencën dhe të ardhmen. Për më shumë lexoni intervistën e tij dhënë për gazetën tonë:

– Egzon, në rradhë të parë urime për kontratën e firmosur me Vllazninë…

Shumë faleminderit. Jam shumë i kënaqur që do të jem sërish pjesë e kësaj skuadre.

– Jeni i lumtur që riktheheni sërish në Shkodër?

Po, jam shumë i lumtur sepse u riktheva tek ekipi ku jam rritur, ku kam nxjerrë shumë djersë dhe ku mësova hapat e parë të futbollit. Përpos këtyre, e di edhe rëndësinë e fanellës dhe shpresoj të kontribuoj për të.

– Hezituat në fillim, apo i thatë menjëherë “po” drejtuesve të Vllaznisë?

Nuk hezitova për asnjë moment, edhe pse kisha oferta të tjera, por unë prita ofertën e Vllaznisë sepse ëndrra ime është që një ditë të veshi fanellën e saj. Të luaj për klubin më të vjetër dhe më me traditë në Shqipëri, pikërisht aty ku jam rritur.

– Sa të ka shërbyer pervoja dyvjeçare me Besën për t’u rritur nga ana profesionale?

Dy vitet tek Besa ishin të mjaftueshme për t’u rritur dhe për të marrë përvojën e duhur në një kampionat të fortë. Ata më kanë ndihmuar që të përgatitem shumë dhe kam marrë minutat e nevojshme që më kanë shërbyer për mirë sigurisht.

– Ke frikë nga konkurrenca te Vllaznia?

Jo nuk kam frikë nga konkurrenca sepse ajo të bën vetëm mirë, të motivon për t’u stërvitur më shumë e për t’u përmirësuar më shumë. Edhe ajo është një gjë shumë e mirë dhe të ndihmon për t’u rritur nga ana profesionale.
Intervistoi: Fabiola CAKA