MFC Panthers Shkodra është i vetmi ekip shkodran që merr pjesë në kampionatin 9X9 “Sunday League” dhe që organizohet nga FSHF. Kjo skuadër ka debutuar sivjet në këtë kampionat dhe që në fillim, u vendos si objektiv që ish-futbollistët shkodranë të jenë pretendentë për ta fituar atë.

Pas pesë javësh, MFC Panthers Shkodra kryeson renditjen, sepse i ka fituar të pesë ndeshjet e luajtura dhe në këtë mënyrë, ata kanë pretendime deri në fund për titullin kampion. Ekipi e ka marrë shumë seriozisht një gjë të tillë, teksa tashmë edhe stërvitjet po i zhvillon në mënyrë të organizuar dhe për më tepër, në krye të tij është një trajner i njohur, si Fatmir Axhani.

President i ekipit të MFC Panthers Shkodra është i biri i profesor Fatmirit, Ergi Axhani, ish-futbollist i njohur më parë i Akademisë Vllaznia, i cili i është rikthyer edhe ai vetë futbollit të luajtur pas disa vitesh mungesë dhe e ka marrë me shumë dëshirë këtë punë. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, presidenti i MFC Panthers flet edhe për kampionatin dhe pretendimet e tij.

Axhani u shpreh se janë në rrugën e duhur në synimet që ato kanë, pasi në pesë javë kanë marrë pikë të plota, ndërsa theksoi se tek ekipi i MFC Panthers Shkodra po bëhet një punë e shkëlqyer nga të gjithë, duke nisur nga i pari dhe deri tek i fundit. Për më tepër, lexoni intervistën e tij për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.

-Ergi, si po shkon ky kampionat për MFC Panthers Shkodra, pasi duket që rezultatet nuk kanë munguar?

Përshëndetje. Po, për momentin jemi në rrugën e duhur, pasi në pesë javë jemi me pikë të plota. Shpresoj të vazhdojmë kështu, sepse realisht edhe ndeshjet që luhen çdo javë në Tiranë, kanë problemet e veta.


-Në krye të këtij ekipi është një emër i njohur i trajningut shkodran, siç është babai juaj, profesor Fatmir Axhani, besoj se edhe ai ka merita të shumta për sukseset e deritanishme apo jo?

Po, babai kishte kohë që ishte tërhequr nga sporti, por dëshira dhe pasioni i tij që ka për futbollin, e riktheu përsëri në detyrë si gjithmonë me përkushtim. Unë besoj se meritat janë të të gjithëve së bashku nga i pari tek i fundit, pasi të gjithë me përkushtimin e tyre, po bëjnë një punë të shkëlqyer.


-Pesë fitore deri tani të Panthers Shkodra, pse fiton në çdo ndeshje ky ekip apo më saktë, cili është sekreti i këtij ekipi që arrin vetëm fitore?

Sekreti ynë mund të them që është harmonia, që është krijuar brenda grupit dhe serioziteti që kanë. Çdo ndeshje vlerësohet maksimalisht në ekipin tonë.


-Kampionati 9X9 duket një kampionat interesant, ku janë shumë skuadra pjesëmarrëse dhe shumë ish-futbollistë që janë rikthyer për të luajtur, e kujt ishte ideja fillimisht që edhe ju me ekipin e Panthers Shkodra të merrnit pjesë në këtë kampionat?

Kampionati 9X9 është një kampionat tepër i bukur. Për nga mënyra e organizimit mund ta krahasojmë me Kategorinë e Parë. Dëshira ime ka qenë gjithmonë të angazhohem me sportin, pasi është një pasion familjar mund të them. Unë kam luajtur vite më parë në Akademinë e Vllaznisë dhe pastaj në Itali, ku pësova një dëmtim dhe për pasojë, u tërhoqa nga futbolli i luajtur.

Vitin e kaluar, u organizua për herë të parë në qytetin e Shkodrës kampionati 5X5, ku edhe ne morëm pjesë dhe u pozicionuam në vendin e dytë, duke luajtur në Tiranë fazën play-off. Sivjet, akoma nuk ka filluar ende ky kampionat, pasi organizimi në Shkodër ka problemet e veta. Unë gjej rastin të ftoj çdo ekip që luan kalçeto të rregjistrohet në këtë kampionat, pasi është diçka e bukur. Kështu, duke parë seriozitetin që ka Sunday League, vendosëm që sivjet të marrim pjesë në këtë kampionat.

Poashtu, është e vërtetë që ka edhe shumë ish-futbollistë, pasi ky është një kampionat amator dhe për t’u mos u shkëputur plotësisht nga futbolli, u jep mundësi përsëri të jenë pranë fushave të blerta. Vitin tjetër, do të jetë kampionati botëror i futbollit amator, që organizohet në Arabi dhe besoj që do të ketë futbollistë edhe nga ekipi jonë, që do të përfaqësojnë ekipin e Kombëtares. Sivjet, u luajt kampionati europian në Sllovaki, ku nga ekipi jonë ishin pjesë Admir Mehja dhe Semir Gokaj. Besoj se këtë vit do të jenë më tepër futbollistë, pasi e meritojnë të jenë pjesë e ekipit të Kombëtares.


-Cili është rivali më i fortë i synimeve që ka Panthers Shkodra?

Nuk mund të them se kemi një rival, pasi çdo ekip ka futbollistë cilësorë, sidomos tani që ne ndodhemi në vendin e parë të kampionatit, çdo ekip luan me frikë kundër nesh dhe na hap jo pak vështirësi, aq më tepër duke ditur që ne vijmë nga qyteti i Shkodrës, e shohin si sfidë më vete.

-E fundit, cilat janë synimet ose objektivat e Panthers Shkodra?

Realisht, që në fillim të sezonit, objektivat kanë qenë të qarta. Nëse do të rregjistrohemi në këtë kampionat, do jemi pretendentë për ta fituar atë. Deri tani siç thashë, jemi në rrugën e duhur. Do t’i marrim ndeshjet me rradhë një e nga një. Ndërkohë, do të falënderoj edhe sponsorin tonë të ekipit Caramel Coffe Shop, i cili do hapet së shpejti në Shkodër, i cili na mundëson çdo gjë. Poashtu, ju falënderoj edhe ju si gazetë për këtë intervistë që gjeni kohën edhe për ne dhe për çdo lajm që jepni për ekipin tonë.
Intervistoi: Maringlen ZHIVANI