Kombëtarja u-19 e futbollit mbylli para pak ditësh kualifikueset për europian. Kuqezinjtë bënë një performancë të shkëlqyer, ku nën drejtimin e Armando Cungut arritën të grumbullonin 4 pikë, por pa u kualifikuar vetëm falë golavarazhit më të dobët. Një nga protagonistët ishte edhe Rejan Alivoda. Mesfushori edhe i Vllaznisë u-19 në një intervistë për “Shkodra Sport” shpreh emocionet e këtyre kualifikueseve, ku shprehet disi i zhgënjyer, por duke shpresuar që të bëjë më mirë në të ardhmen.
– Rejan, vini pak ditë pas ndeshjeve me kombëtaren u-19. Si ishin emocionet e këtyre kualifikueseve?
Vij pas 3 ndeshjesh me kombëtaren, ku patëm një performancë besoj shumë të mirë. Pavarësisht se kishim kundërshtarë shumë të fortë, ne ia dolëm të tregojmë vlerat tona. Patjetër që emocionet gjithmonë janë pozitive kur luan me kombëtaren. Është nder dhe një ndjenjë që vështirë ta krahasosh me diçka tjetër.
– I zhgënjyer ndoshta që nuk u kualifikuat vetëm falë golavarazhit negativ nga ana e Shqipërisë?
Realisht mund të them se të gjithë ishin të zhgënjyer disi. Kjo pasi zhvilluam ndeshje shumë të mira sidomos kundër Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vetëm ndeshja me Francën na mbet si peng për rezultatin e thellë. Por loja që kemi treguar patjetër që është vlerësuar shumë nga të gjithë.
– Armando Cungu trajner tek kombëtarja u-19 dhe Vioresin Sinani trajner tek Vllaznia u-19. Kush është ai që po ndikon më shumë në lojën tënde?
Jam i privilegjuar nëse mund ta cilësoj kështu që trajnohem nga dy legjenda të futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Nga të dy profesorat mësoj shumë. Mësime që do më ndihmojnë shumë në të ardhmen.
– Jeni stërvitur prej disa kohësh tek ekipi i parë i Vllaznisë. Je gati për hapin e madh?
Stërvitja me skuadrën e parë është diçka që më lumturon pa masë. Kjo më jep motivim që të punoj shumë dhe që të bëhem sa më shpejt pjesë e skuadrës së Vllaznisë. Diçka që është ëndërr për këdo në Shkodër.
– Kalojmë pak tek Vllaznia u-19. Keni lëshuar disi terren së fundmi me disa rezultate jo shumë pozitive…
E vërtetë që ndoshta s’kemi pasur ndoshta rezultatet më të mira, por ndoshta kemi qenë edhe pak pa fat. Kjo sepse kemi bërë lojëra të mira dhe meritonim më shumë.
– Kjo javë ju gjen kundër Tiranës. Do ktheheni tek fitoret?
Do jetë një ndeshje shumë e fortë. Ne do bëjmë më të mirën dhe besoj se do i kënaqim gjithë tifozët që na mbështesin.
– Në fund objektivi i Vllaznisë u-19 dhe ai i Alivodes në veçanti?
Ne si ekip kemi objektiv që të fitojmë çdo ndeshje dhe normalisht të luajmë për titull. Ndeshjet do i marrim me rradhë. Ndërsa i imi personal është që të stërvitem sa më mirë dhe në të ardhmen të jem pjesë e Vllaznisë.
Intervistoi: Endri ÇINARI