Vllaznia do presë nesër Kastriotin në ndeshjen e javës së 9-të të Superligës. Një takim që pritet të dhurojë rivalitet duke parë që si kuqeblutë ashtu edhe krutanët duan të rikthehen tek fitorja. Kjo pasi ka munguar një 3 pikësh në të dy kampet në javët e fundit të Superiores.

Por shkodranët do kenë përballë disa “fytyra të vjetra”, të cilët në vite kanë qenë protagonistë në skuadrat e moshave kuqeblu, por edhe tek ekipi i parë. Flasim këtu për treshen shkodrane të Kastriotit aë janë Karakaçi, Hasani dhe Isufi. Të 3 futbollistë të dalë nga akademia Vllaznia dhe që sot janë pjesë e krutanëve.

Koicidenca është se të tre këta futbollistë kanë qenë kapitenë në periudha të ndryshme tek akademia Vllaznia. Madje Edon Hasani e ka mbajtur shiritin edhe në ekipin e parë ndërsa Abaz Karakaçi është aktualisht kapiten i skuadrës së Kastriotit.

Patjetër që ndjenjat mund të jenë të përziera nesër për ta. Por me shumë mundësi titullar do jetë vetëm Karakaçi ndërsa Hasani dhe Isufi priten në stol. Kjo tregon edhe njëherë për shumicën e futbollistëve që prodhon Shkodra dhe akademia Vllaznia. Futbollistë që janë protagonistë në çdo ekip ku shkojnë.
Endri ÇINARI