Nisi duke folur për volejbollin me shokët dhe krejt papritmas me shumë vështirësi dhe me mbështetjen e shokëve Gentjan Curraj e gjen veten në stërvitje çdo ditë.

Curraj edhe pse pa shumë mbështetje vazhdon me dëshirë dhe pasion të luajë për Vllazninë që në gjimnaz.
Volejbollisti 20 vjeçar tashmë është pjesë e ekipit të parë të saj dhe natyrisht që premton të bëjë më mirën edhe në të ardhmen. Për këtë edhe më shumë Genti është shprehur për intervistën e realizuar nga “Shkodra Sport”.


– Si lindi dëshira për t’u marrë me volejboll? Ka qenë ëndrra juaj apo jeni frymëzuar nga dikush?

Dëshira ime për të luajtuar volejboll ka ardhur në mënyrë spontane, pasi një nga shokët e mi të skuadrës luante në atë kohë dhe më fliste shpesh për volejbollin. Frymëzimi ka ardhur pikërisht nga shoku im, ai që nuk pushonte së foluri për volejbollin.


– Cili është personi që të ka mbështetur më shumë?

Në fakt jam përpjekur gjithmonë vetëm. Për nga familja nuk e kam marre mbështetjen e plotë. Shkaku ishte ekonomia, jo sepse nuk ishin të kënaqur me arritjet e mia. Gjithashtu edhe shoqëria më ka mbështetur, pasi në gjimnaz kam patur një grup shokësh, që merreshin me këtë sport dhe rrjedhimisht frymëzonim njëri-tjetrin.


– Ju luani tek Vllaznia, sa përgjegjësi është të luash për një ekip me kaq shumë emër?

Është një përgjegjësi e madhe që të bësh krenar vendin ku ke lindur. Përgjegjësia merr formë tjetër kur arrin fitoret se ndihesh si mbi re që ia dole sërish të bësh krenar një pjesë tonën, Vllazninë.


– Sa presion ke para ndeshjeve meqë e di se tifozat shkodranë kërkojnë shumë?

Nuk mund ta quaj presion. Volejbolli është ndryshe, sepse më tepër tifozë hasim në sporte tjera. Tek sporti jonë tifozët tonë janë më miqësor.


– Cili ka qenë momenti më i bukur dhe ai më i vështirë deri tani në volejboll?

Nuk mund të ndaj një moment të bukur, por fitoret janë gjithmonë momentet më të bukura. Më i vështiri është kur ke një dëmtim dhe nuk mund të japësh kontributin tënd për skuadrën.

– Cilat janë objektivat që ju si ekip keni vendosur për këtë vit?

Objektivi që kemi çdo vit është të përmirësohemi çdo ditë më shumë që të kapim majat.

– Po objektivi yt personal cili është?

Ndërsa objektimi im është të punoj fort që të bëj krenar të gjithë ato, që më mbështesin.

– Ku e sheh veten në të ardhmen?

Në të ardhmen e shoh veten po këtu, sepse kam dëshirë ta transmetoj brez pas brezi këtë pasion.
Intervistoi: Olta Jahaj