Fillimi i javës e ka gjetur Vllazninë në fushën e stërvitjes dhe kuqeblutë po i japin dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e rradhës, atë të Kupës së Shqipërisë ndaj Labërisë. Vetë humbja 2-1 në ndeshjen e parë, e shton disi presionin në kampin shkodran për ta përmbysur me çdo kusht këtë rezultat dhe për t’u kualifikuar për në turin e dytë.

Nëse në Vlorë në takimin e parë stafi teknik aktivizoi të gjithë lojtarët e stolit, këtë herë mendohet të veprojë ndryshe. Trajneri Brdariç duket se ka ndër mend të bëjë një miksim të lojtarëve të formacionit bazë me pjesën tjetër.

E rëndësishme është që të merret rezultati i duhur dhe ekipi ta kalojë këtë kundërshtar. Ndërkohë, siç është bërë e ditur, për shkak se fusha e stadiumit “Loro Boriçi” ende nuk është gati, kjo ndeshje do të luhet ditën e mërkurë në orën 13.30 në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Shumëkush mund të mendojë që fokusi i Vllaznisë duhet të jetë i përqendruar tek sfida e fundjavës për kampionat ndaj Dinamos që është më e rëndësishme, por në fakt te Vllaznia janë duke i dhënë vlerësimin e duhur edhe ndeshjes së kupës.

Për kuqeblutë nuk ka asnjë justifikim tjetër përveç fitores, madje të thellë ndaj Labërisë dhe kalimin për në turin e dytë të këtij kompeticioni. Sa i takon ndeshjes me DInamon pastaj, stafi teknik sërish nuk do të ketë të gatshëm disa futbollistë, përfshi këtu mbrojtësin Adili të pezulluar me kartona por edhe futbollistët Bulatoviç, Da Silva e Kaina për arsye dëmtimesh. Megjithatë ky nuk është justifikim sepse objektivi i Vllaznisë edhe në atë ndeshje do të jetë vetëm fitorja./SHKODRA-SPORT.COM/