Volejbollisti shkodran, Gledis Dibra, i cili këtë sezon, ka firmosur për skuadrën e Skënderbeut, po shkëlqen si një nga lojtarët më të mirë të këtij ekipi. Në fakt, jo vetëm ai, por edhe dyshja tjetër e shkodranëve që luan në Korçë, pikërisht Tuad Drinazi dhe Klaudio Preka.
Përvojën e tij si kampion dhe si titullar kryesor me Vllazninë dhe Erzenin, Dibra po e shfaq maksimalisht edhe në Korçë me ekipin e Skënderbeut. Këta të fundit i pret një ndeshje mjaft e vështirë ditën e sotme ndaj Partizanit në transfertë në palestrën e Farkës.
Në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, Dibra thotë se tek skuadra e Skënderbeut për të cilën ai po luan, ndjehet shumë mirë dhe i vlerësuar për atë që po jep në fushën e lojës. Volejbollisti shkodran shtoi se në Korçë po e ndjen veten si në shtëpinë e tij, si ai, ashtu edhe dy volejbollistët e tjerë shkodranë, Drinazi dhe Preka.
Poashtu, Dibra u shpreh se sot i pret një ndeshje shumë e vështirë ndaj Partizanit, sepse është një ekip që dominon në kampionatin shqiptar të volejbollit, ndërsa theksoi se atij personalisht nuk iu ofrua asnjë lloj mundësie për të qëndruar tek Vllaznia. Për më tepër, lexoni intervistën e tij për “Shkodra Sport” dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.
-Dibra, po riktheheni edhe njëherë tjetër me performancat pozitive me ekipin e Skënderbeut, si po shkon kjo aventurë për ju?
Përshëndetje, faleminderit për intervistën. Po, është e vërtetë, rikthehem në parket si lojtar pas një periudhe shkëputje dhe pas një eksperiencë të shkurtër si trajner në ekipin Vllaznia. Realisht, po ndihem shumë mirë dhe i vlerësuar tek ekipi i Skënderbeut.
-Tre shkodranë tek ekipi i Skënderbeut, si po e ndjen veten Dibra në Korçë së bashku edhe me dy volejbollistët e tjerë shkodranë, Drinazi
dhe Preka?
Në Korçë po e ndjej veten si në shtëpinë time dhe me një atmosferë të shkëlqyer nga sportdashësit korçar. Kjo vlen edhe për dy volejbollistët shkodranë, Drinazi dhe Preka.
-Ju jeni një volejbollist me shumë përvojë dhe eksperiencë në fushën e lojës, ku keni fituar edhe disa trofe në Shqipëri, synoni fitimin e ndonjë trofeu edhe me Skënderbeun?
Unë dëshiroj të arrij objektivat e ekipit sa i përket fazës së parë, sepse ekipi jonë akoma nuk ka përforcime nga jashtë. Në qoftë se arrijmë objektivat dhe marrim përforcime në fazë të dytë, besoj se do jemi pretendentë për trofe.
-Dibra, këtë javë luani ndaj Partizanit në transfertë, si e shikoni këtë përballje?
Këtë javë, kemi një ndeshje shumë të vështirë, sepse kemi përballë një ekip që dominon në kampionatin shqiptar dhe gjithashtu, ka bërë merkato të fuqishme me tre volejbollistë të huaj. Megjithatë, do mundohemi të japim maksimumin dhe të bëjmë më të mirën e mundshme.
-E fundit Dibra, ju jeni një ndër ata sportistë shkodranë që luani jashtë Shkodrës, realisht pse largohen shkodranët nga Vllaznia për të luajtur në ekipe të tjera?
Unë nuk di nga ta filloj, por po shprehem shkurtimisht. Personalisht, mua nuk m’u ofrua asnjë lloj mundësie për të qëndruar tek Vllaznia dhe të imagjinosh që drejtuesit e ekipit aktual kurrë në jetën e tyre, nuk kanë asnjë trofe, ndërsa unë me disa shokë të tjerë të larguar si p.sh Ditmir Rrashketa, Tuad Drinazi, Klaudio Preka, por edhe shumë të tjerë, kemi shkruar historinë e volejbollit shkodran dhe kemi fituar disa trofe me të tjerë drejtues.
Intervistoi: Maringlen ZHIVANI