Ilir Nallbani është një nga futbollistët jabanxhinjë që kanë ngelur në memorien e tifozëve të Vllaznisë. Ish-mesfushori njihej për grintën dhe luftën e tij sportive dhe në Shkodër ka lënë një përshtypje shumë pozitive në dy periudhat e tij të aktivizimit me kuqeblutë. Fillimisht në vitet 2007-2011 dhe po ashtu në sezonin 2012-13. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai tregon për aktivitetet e tij të tanishme. Ku patjetër nuk harron as Vllazninë dhe Shkodrën në fjalët e tij.


-Çfarë po bën sot Ilir Nallbani për të gjithë ata që nuk e dinë?

Tashmë jam pjesë e futbollit si trajner, ku po punoj në klubin tim privat, FC Arena. Që është në qytetin tim të lindjes, në Pejë. Po ashtu jam edhe selektor tek kombëtarja u-15 e Kosovës. Ku kemi mjaft punë me moshat e reja me selektimet dhe klasifikimet e shumë futbollistëve që luajnë në Kosovë apo edhe në Europë. Ne si selektor po lëvizim në mbarë Europën që ti shohim nga afër futbollistët që mund ti shërbejnë Kosovës u-15 apo edhe ekipeve të tjera zinxhirë.


-Sa e ndiqni futbollin shqiptar, veçanërisht Vllazninë?

Futbollin shqiptar e shoh rregullisht dhe jam i informuar goxha për çfarë ndodh. Vllazninë patjetër e ndjek sa herë kam mundësi dhe çdo herë që shikoj rezultate pozitive dhe suksese unë gëzohem. Kjo pasi aty kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës sportive dhe i uroj suksese çdo herë sepse është pjesë e imja.


-Si iu duket Vllaznia, mund të ketë shanse të avancojë në Europë?

Vllaznia në Europë mendoj se do ketë ecuri pozitive. Kjo pasi fillimisht ka në krye një president mjaft të përkushtuat ndaj klubit dhe shumë serioz. E po ashtu në krye është trajneei Mirel Josa, që është një punëtor jashtëzakonisht i madh dhe di shumë mirë ta menaxhojë ekipin si në kampionat ashtu në Europë. Shpresoj që Vllaznia minimalisht të kalojë këtë raund.

-Lorik Boshnjaku është afruar së fundmi tek shkodranët. Si e mendoni këtë lëvizje?

Loriku është një futbollist shumë cilësor. I uroj së pari suksese dhe pastaj të përshtatet me qytetin e gjithashtu tifozët. Po besoj se me potencialin që ka do të ndihmojë ekipin të zhvillojë paraqitje të mira.

-Të mungon Shkodra ? Do doje një ditë të ishe trajner tek Vllaznia?

E thashë edhe më sipër që kam kaluar vite të paharrueshme në atë qytet e në atë ekip. Ndërsa përsa i përket të drejtoj Vllazninë, të ardhmes nuk i dihet. Unë ekipit të Vllaznisë i dëshiroj vetëm suksese në Europë e po ashtu në kampionat. Gjithashtu dua të përshëndes edhe tifozët e skuadrës që janë më të veçantët në Shqipëri dhe janë një “armë” plus për çdo futbollist që vesh atë fanellë.
Endri ÇINARI