Po kalon një formë shumë pozitive në Azerbajxhan, ku ka shënuar në vazhdimësi në javët e fundit. Fjala është për Belajdi Pusin, i cili në një intervistë për “Shkodra Sport” tregon për eksperiencën në futbollin azer, diferencat me Shqipërinë e po ashtu objektivat personal që ai ka.


-Pusi, sezoni i dytë në Azerbajxhan, duket se tashmë jeni përshtatur më së miri me kampionatin apo jo?

Gjysmën e sezonit të shkuar luajta në Korçë rregullisht dhe kjo më ndihmoi shumë kur erdha në Azerbajxhan. Isha në ritëm dhe zhvillova ndeshje të mira, ku kam dhuruar edhe asiste për shokët. Tani në këtë sezon po shënoj dhe shpresoj të vijoj kështu.


-Para pak ditësh shënuat golin e rradhës, po kaloni një formë fantastike. Morët vlerësime nga drejtuesit dhe trajneri?

Trajneri tashmë i di cilësitë që unë kam dhe pas stërvitjes me ekipin, më bën stërvitje individuale, që unë të rritem akoma më tepër. Arsyeja kryesore që po luaj mirë është se po më vlerësojnë si duhet dhe unë jam i lirë të bëj atë që di në fushë.


-Ke ndonjë objektiv personal për ndonjë numër golash që do të arrish këtë sezon?

Me ndihmën e Zotit e të kem shëndetin e plotë gjithë kampionatin besoj se numri i golave do jetë me dy shifra.


-Ndryshon shumë niveli me kampionatin shqiptar?

Në Shqipëri ka lojtarë të mirë, por këtu po investojnë shumë në futboll. Kushtet janë të mira, ritmi është më i lartë dhe çdo ditë e më shumë rritet profesionalizmi.


-Mund të jetë një trampolinë për ty në një kampionat më cilësor ekipi i Turan?

Po mendoj vetëm të bëj mirë me ekipin ku jam. E kam kërkuar gjithmonë ta shijoj futbollin dhe tani po e shijoj, po ndihem futbollist. Gjërat e mira do vijnë me siguri po të vijoj me këtë ritëm.


-Së fundmi e ke ndjekur nisjen e Superiores Ku dy ish-ekipet tuaja Vllaznia dhe Skënderbeu i kanë bërë një start të mirë sezonit?

Po, i kam ndjekur të dy ekipet. Ju uroj shumë suksese në këtë kampionat.
Intervistoi: Endri ÇINARI