Dje ka shkelmuar topin e parë të kampionatit, në ceremoninë tradicionale të ndeshjes së parë dhe duket se Rudi Vata e ka patur “këmbën e mbarë” sepse Vllaznia e nisi sezonin e ri me një fitore bindëse 3-1 ndaj Kukësit.

Ish- kapiteni i kombëtares shqiptare është parë i emocionuar gjatë kësaj ceremonie simbolike dhe një gjë të tillë e thotë edhe në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shkodra Sport”. Vata e konsideron skuadrën shkodran si njëra prej pretendenteve të sezonit të ri, ndërkohë që ka analizuar pikat e forta dhe të dobëta të saj. Për më shumë lexoni intervistën e dhënë për gazetën tonë:


– Rudi, Klubi Vllaznia ju kishte perzgjedhur juve për të shkelmuar topin e parë të kampionatit dhe duket se keni patur këmbën e mbarë. Një koment për këtë moment të bukur besoj?

U ndjeva i privilegjuar dhe i respektuar që klubi Vllaznia, presidenti i saj dhe i gjithë stafi më kishin përzgjedhur mua për të shkelmuar topin e parë të kampionatit. E vlerësoj maksimalisht këtë gjë, ishte një emocion tepër i mirë, i bukur. Takova lojtarët, takova stafin, u përshendeta me publikun, thjesht një ndjenjë fantastike.

Dhe rezultati në fund të ndeshjes ishte si “qershia mbi tortë” dhe kjo e bëri një ditë tepër emocionuar dhe tepër të bukur për mua. Faleminderit të gjithëve dhe ju respektoj jo vetëm për vlerësimin që treguat ndaj meje por edhe ndaj figurave të tjera duke treguar një respekt të veçantë. Kjo është shumë domethënëse për të gjithë ish- futbollistët e Vllaznisë.


– Një analizë për ndeshjen, e meritoi Vllaznia fitoren?

Vllaznia e meritoi totalisht fitoren. Ishte një ndeshje e mirëanalizuar dhe mirëpërgatitur dhe si rrjedhojë tregoi superioritet ndaj kundërshtarit, pavarësisht se Kukësi nuk ishte një ekip i dobët por që në rradhët e tij kishte kualitete.

Për më tepër që kundërshtari nisur nga situata që ka kaluar nuk ka qenë ndoshta në gjendjen e tij më të mirë. Por në përgjithësi Vllaznia ishte skuadra dominuese në fushën e lojës, shënoi tre gola dhe mund të kishte shënuar edhe më tepër dhe më vjen mirë që fillimi i kampionatit vjen me një trepikësh dhe me një fitore solide.


– Si e shikoni të ardhmen e Vllaznisë, do mundet të jetë mes ekipeve pretendente këtë sezon?

Vllaznia i ka kapacitetet e mjaftueshme dhe grupin e lojtarëve për të qenë një skuadër pretendente, për aq kohë sa ato do të jenë të mirëorganizuar dhe të mirëbashkuar dhe të funksionojë mirë grupi. Shpresoj që të mos ketë përçarje sepse historikisht Shkodrën janë munduar ta përçajnë, historikisht shkodranët i kanë shfrytëzuar individualisht, por nuk i kanë lanë për të qenë të bashkuar dhe me luftu me njëri- tjetrin për vlerat e Shkodrës.

Duhet të tregohemi vigjilentë dhe ne të gjithë të tjerët duhet të jemi prapa Vllaznisë, të mos tregojmë ego personale. Gjithsesi kampionati do të ketë probleme sepse Shqipëria është vetë me plot probleme, do ketë momente të dobëta por edhe të mira, por skuadra ka nevojë të qëndrojë e bashkuar për të patur rezultat e sukses. Nuk duhet që ta sulmojmë njëri- tjetrin. Jeta është e shkurtër dhe fatmirësisht ne jemi qytet plot me vlera, por siç e thashë historikisht na kanë përça.

E nëse i kemi këto vlera, duhet të kemi edhe njerëz inteligjenta që të rrinë të bashkuar sepse qëllimi i Shkodrës është për të qenë e lumtur dhe kjo arrihet kur ti i merr çdo vlerë këtij qyteti dhe e shfrytëzon për të mirën e Shkodrës. Prandaj mendoj se skuadra i ka të gjitha potencialet për të qenë pretendente sepse kampionati shqiptar nuk është një kampionat që ka yje të jashtëzakonshme, ka një ballancë të mirë ne mes brezit të ri dhe brezit me eksperiencë prandaj i ka të gjitha mundësitë për të qenë solide dhe pretendente.

– Së fundi, çfarë shikoni si pikën më të fortë dhe më të dobët të kësaj skuadre?

Pikat e forta? E rëndësishme është që skuadra të ketë një kimi të mirë me njëri- tjetrin, njëlloj siç e kishin dje ndaj Kukësit dhe siç e kishin në ndeshjen e dytë ndaj Linfield në Shkodër. Ajo ishte skuadra që të jep shpresë dhe mendon se me këtë grup lojtarësh dhe me këtë mënyrë lojet, me këtë entuziasëm, me këtë shpirt gare mundesh me mbërrit gjana të mira.

Për sa kohë të ruhet kjo, njëkohësisht edhe kimia me tifozët, sepse ata janë tepër të rëndësishëm për Vllazninë. janë një energji që po të mungojë, e ke shumë të vështirë të jesh i motivuar. Nëse kjo lidhje me tifozët do të vazhdojë të jetë e mirë gjatë gjithë kampionatit, mendoj se skuadra ka për t’u rritur sërish dhe ka për të patur një vazhdimësi të mirë. Njëkohësisht edhe qyteti ka me pasë energji pozitive dhe çdo gjë ka me shku mirë.

Por duhen ruajtur këto ballanca, duhet punuar shumë sepse Shkodra e ka në ADN-në e vet futbollin dhe pa të është sikur t’i bllokosh arteriet. Uroj që i gjithë qyteti, të gjithë tifozët ta mbështesin Vllazninë, të jenë prapa saj. Të krijojmë një filozofi tjetër, të fillojmë të nderojmë punën e tyre dhe të vlerësojmë këto djem që po punojnë sepse edhe ato kanë për mbështetje për sakrificat që bajnë.

Skuadra ka nevojë për infrastrukturë. Unë kam folur edhe me presidentin Xhaferi, pika e dobët e Vllaznisë është “shtëpia e futbollit”. Pra, aty ku futbollistët të kenë një qendër të vetën ku ata të jenë të qetë në punën e tyre, ku të jetë një infrastrukturë me parametra normalë siç e kanë ndërtu klubet e kryeqytetit. Pra unë besoj se kjo është pika e dobët më e madhe që ka dhe do të ketë Vllaznia. Shpresoj që organet të cilat kanë mundësi me e ndihmu këtë klub me ndërtu një “shtëpi futbolli” me parametra profesionalë, të angazhohen sa më shpejt sepse sa më gjatë të mungojë ajo, për talentet që po rriten, për brezat e ri të sotëm dhe ata që do të vijnë, do të jetë shumë e vështirë me prodhu futbollistë të niveleve të larta.

Prandaj kushdo që ka mundësi të japë diçka, një institucion, një donator, të krijohet një strategji pune sepse në këto momente mendoj se është më e rëndësishme strategjia e klubit për të ardhmen sepse taktika e një ndeshje futbolli. Sepse kur të ndërtohet strategjia, Vllaznia do ta ketë shumë më të lehtë në arritjen e shumë objektivave dhe brezat e rinj do të rriten në mënyrë më profesionale. Pra “shtëpia e futbollit” është pika më e dobët që ka Shkodra dhe Vllaznia./SHKODRA-SPORT.COM/