Klubi i Erzenit arrin të zhbllokojë merkaton e janarit, duke marrë një lajm të mirë nga FIFA, që i hap rrugën federimit të të gjithë lojtarëve të afruar deri më tani.

Sipas “Panorama Sport”, gjatë së mërkurës ka ardhur një “email” konfirmimi nga FIFA për llogari të klubit shijakas, duke u dhënë këtyre të fundit të drejtën e regjistrimit të lojtarëve të rinj në merkato. Erzeni ishte bllokuar nga FIFA, pasi nuk kishte respektuar kontratat me dy futbollistë të sezonit të kaluar, të cilët e kishin paditur dhe kishin fituar gjyqin (emrat dhe borxhi nuk dihen).

Gjithsesi, tashmë kjo është një histori e mbyllur, pasi drejtuesit e klubit shijakas kanë bërë të gjitha marrëveshjet e nevojshme. Në këto kushte, lojtarë si Paul Seun Komolafe, Silvio Zogaj, Auron Ademi, Darrel Agbugui, Sukes Makanjuola dhe Arlind Dakaj mund të jenë gati për trajnerin Deliallisi që në ndeshjen e së dielës në Laç.

Kontratat e tyre do të depozitohen në FSHF, e më pas sistemi i FIFA-s (TMS), do të bëjë konfirmimin e federimit, duke i hapur rrugën e aktivizimit lojtarëve të afruar. Një pjesë e tyre janë prezantuar nga klubi i Erzenit në faqen zyrtare në rrjetet sociale, ndërsa mësohet se deri në mbyllje të merkatos, do të ketë të paktën edhe dy përforcime të tjera dhe ato do të kompletonin skuadrën.