Nga Endri ÇINARI

Protagonist me një gol nga goditje e dënimit për Basanian në fitoren 3-2 ndaj Luzit ishte edhe Jurgen Gjini. Sulmuesi në këtë mënyrë shënoi golin e parë në kampionat për bushatasir, duke hapur llogarinë e tij personale. Në një intervistë për “Shkodra Sport” ai shprehet shumë i lumtur për këtë fitore. E thekson se skuadra synon për fitore të tjera në të ardhmen. Teksa 35-vjeçari shpreson të shënojë çdo herë e të jetë vendimtar për Basanian.

-Gjini, sa i rëndësishëm ishte ky sukses ndaj Luzit për Basanian?

Besoj se është një fitore shumë e rëndësishme, por edhe e merituar për ne. Djersitëm dhe sakrifikuam shumë ndaj një kundërshtari që me të vërtetë është i fortë. E kishim përgatitur takimin gjatë gjithë javës dhe fatmirësisht u shpërblyem për punën tonë në fund.


-Ka mundësi skuadra akoma për më tepër?

Mendoj se po sepse kemi në skuadër futbollistë cilësorë dhe që mund të bëjnë diferencën. Kjo më jep optimizëm, jo vetëm mua, por të gjithëve që kemi mundësi të luajmë për vendet e para të klasifikimit.

-Si ndiheni pas golit të parë në kampionat me fanellën e bushatasve?

Ndihem i lumtur për golin tim të parë në kampionat me fanellën e Basanias, pasi më parë kisha shënuar në kupë. Por, e theksoj se jam akoma më i lumtur për arritjen e 3 pikëve në këtë duel.


-Keni një premtim për një numër golash që do shënonin deri në fund të kampionatit?

Për mua fillimisht e rëndësishme është që ecuria e ekipit të jetë pozitive. Pastaj për numrin e golave personal sa më i lartë të jetë aq më kënaqësi është. Sidomos kur je sulmues dhe vlerësohesh më së shumti për këtë gjë në fushën e lojës.(www.shkodrasport.com)