Simone Inzagi karikon bardhekaltrit në prag të ndeshjes së sotme në “San Siro” ndaj Interit, e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Italisë.

“Nevojitet një Lacio e madhe, por mbi të gjitha një skuadër që duhet të luajë me personalitet. Momentalisht duhet ta lëmë pas krahëve kampionatin dhe të përqendrohemi plotësisht në ndeshjen e Kupës, pasi është një trofe shumë i rëndësishëm për ne. Vijmë nga një ndeshje shumë e mirë, si ajo ndaj Juventusit, ndonëse nuk arritëm të merrnim pikë.

Kemi parë që të gjitha skuadrat po e vlerësojnë maksimalisht këtë kompeticion dhe dëshirojmë të arrijmë në gjysmëfinale”, deklaroi trajneri i Lacios në prag të sfidës ndaj zikaltërve. Strakosha, Berisha dhe Durmishi titullarë.

Nga stërvitja e zhvilluar dje në “Formelo”, duket se formacioni i lacialëve në ndeshjen e sotme nuk lë vend për shumë dyshime. Me rikthimin e Açerbit dhe Marusiç do të kalohet në skemën 3-5-2, ku pretendentë për një fanellë titullari janë edhe shqiptarët Berisha dhe Durmishi, përveç Strakoshësh që konfirmohet në portë. Luliç, Parolo, Korrea dhe Luis Alberto do ta nisin nga pankina, ndërsa Kataldi është i skualifikuar.