Astrit Gjyrezi, ishadministratori i Vllaznisë, ka reaguar për çështjen e futbollistit Eraldo Çinari. Bashkia e Shkodrës e ka çuar në prokurori çështjen, duke pretenduar se nuk ka dhënë asnjë lejekalimi për transferimin e futbollistit te klubi spanjoll i Alaveshit.

Administratori aktual, Suad Lici, thotë se ky është një mashtrim si nëpër filma dhe se përgjegjësit duhet të përballen me ligjin, ndërsa familja e Çinarit është e bindur se miratimi për transferimin e tij është bërë nga zyrat e klubit.

Ish-administratori Astrit Gjyrezi, në një intervistë për “Panorama Sport”, mohon të ketë dhënë një lejekalimi për Çinarin dhe për cilindo futbollist tjetër.

Gjyrezi, çfarë ka ndodhur me Çinarin?

Nuk e di çfarë ka ndodhur me të. Unë kam dhënë dorëheqjen më 31 korrik nga posti që mbaja dhe prej datës 1 gusht nuk kam dijeni se çfarë ka ndodhur.

A keni firmosur ju për largimin e Çinarin nga Vllaznia drejt klubit spanjoll të Alaveshit?

Asnjëherë. Kam dëgjuar shumë rreth kësaj çështjeje, madje ka pasur edhe spekulime apo aludime se diçka nga ndodhur nga zyrtarë të klubit apo nga vetë bashkia.

Janë përpjekur ta tjerrin aq shumë këtë çështje, duke lënë të kuptohet se unë mund të jem i përfshirë, por kjo është thjesht dashakeqësi.

Klubi i Alaveshit ka bërë të ditur se leja e kalimit të Çinarit është dhënë nga drejtuesit e vjetër…

Këtu ka një keqkuptim. Vllaznia nuk ka drejtues të vjetër dhe të rinj. Klubi ka një bord drejtues që ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe dhe vazhdon të jetë. Në komunikatën e Alaveshit nuk thuhet “administratori”, por drejtuesit “e vjetër”.

Në këtë pikëpamje unë mendoj se është bërë një keqinterpretim edhe nga media. Unë e përsëris se si ish-administrator nuk kam lidhje me këtë gjë.