Herën e fundit që Dinamo ka bërë regjistrimin e logos së saj te patentat dhe markat në QKB, administrator i klubit ka qenë Ismet Saliaj. Emri i tij figuron edhe sot në këtë institucion, pasi rinovimi, sipas procedurave, bëhet një herë në 10 vjet. Për “Panorama Sport”, ish-drejtuesi i klubit kryeqytetas tregon se çfarë ka ndodhur në atë kohë.

“E kam ndjekur temën e Dinamos, që ju keni trajtuar në gazetë dhe të gjitha janë të vërteta ato që janë shkruar. Kujtoj që në atë kohë, në 2020-ën, kur kemi bërë regjistrimin te markat dhe patentat, na është dashur të presim pak kohë, ndoshta 6 muaj.

Është procedura e tillë. Ishte hera e parë që e bënim këtë regjistrim, që nga koha kur kishim marrë drejtimin e Dinamos. Te Dinamo ndodhën ato që i dinë të gjithë dhe në atë moment u bë kalimi nga ‘sh.a.’. Emri im është aty akoma, sepse rinovimi bëhet një herë në 10 vjet, kështu që do të vazhdojë deri në 2030-ën.

Kështu ishte në atë kohë, por ndoshta rregullat dhe ligjet tani kanë ndryshuar, nuk e di. Nuk besoj se do të ketë ndonjë problem, ose edhe nëse do të ketë mund të gjendet një rrugë e mesme për të pasur një zgjidhje. FIFA, me sa kujtoj, merr pak kohë si reflektim, sepse mund të ketë ankesa nga ndonjë Dinamo tjetër sa i takon logos. Dhe ne e dimë që Dinamo ka kudo në botë.

Ne patëm një problem të vogël me Dinamon e Zagrebit, na u kërkua të bënim një ndërhyrje të vogël dhe gjithçka u zgjidh. Tani situata mund të ketë ndryshuar dhe nuk besoj se klubi do të hasë vështirësi. Personalisht, do të isha shumë i lumtur nëse, krahas gjërave të bukura që po i vijnë Dinamos, të shihja në logo atë D-në e bukur të dorës. Nuk e di, por më duket se ajo është D-ja më e bukur në botë”, thotë me jo pak nostalgji ish-administratori Ismet Saliaj.

SHNDËRRIMI I DINAMOS NË “SH.A.”

Ish-administratori i bluve deklaron se sa ka qenë ai në drejtimin e 18 herë kampionëve kur klubi ka funksionuar si shoqatë dhe jo si shoqëri. “Deri në kohën kur unë isha administrator, klubi ka funksionuar si shoqatë.

Më pas, me drejtuesit aktualë, u shndërrua në shoqëri aksionere. A më kanë pyetur kohët e fundit për logon? Jo, nuk më ka kontaktuar askush. Megjithatë, unë shoh që Dinamo po zhvillohet dhe jam i lumtur, sepse është një klub që meriton të jetë gjithnjë konkurrues”, deklaroi Saliaj.