Këtë javë në Superiore, pretendimet për gabime të arbitrave në 5 sfidat e luajtura kanë qenë të shumta nga ekipet, ku shumë prej tyre kanë pakënaqësitë ndaj gjyqtarëve duke i etiketuar dhe me emra të përveçëm.
Në emisionin ‘’Rubrika Sportive’’, ish-gjyqtari i Superiores, Klajdi Kola është shprehur se Eldorjan Hamiti nuk duhej lejuar të arbitronte këtë javë pas gabimeve që bëri në derbi.
‘’Këto janë vlerësime të komisionit të caktimit të arbitrave. E kemi diskutuar që 11-metërshi duhej vërshëllyer në derbi. Megjithatë komisioni i caktimit e ka gjykuar që duhet të jetë por duhet thënë që jemi në javën e 7-të.
Në Superiore janë gjithsej 18 arbitra, por gjykojnë gjithmonë të njëjtit. Për mendimin tim pas rastit në derbi nuk duhej të gjykonte, ose të ishte vetëm në VAR. Janë 18 arbitra, vetëm 7-8 janë në aktivitet. Duhet të jepet mundësia dhe arbitrave të tjerë apo rinj të shprehin veten e tyre pasi është dhe ndihma e VAR-it’’, u shpreh Klajdi Kola.
Kujtojmë se Eldorjan Hamiti gjykoi derbin Tirana-Partizani ku pati akuza të forta nga të kuqtë, ndërsa këtë javë lezhjanit iu besua takimi Laçi-Skënderbeu.