Rikthimi i Zlatan Ibrahimoviç te Milani ka lumturuar fansat kuqezinj dhe ka tërhequr vëmendjen e madhe të medieve ndërkombëtare.
Megjithatë të shumtë janë skeptikët që nuk besojnë tek mosha e “bomberit” suedez i cili ka mbushur 38 vjeç.
Ish-futbollisti kuqezi, Urby Emanuelson foli për “NOS”, duke u ndalur edhe te kthimi i ish-partnerit të tij me Milanin.
“Duket që Milani mendon sikur ka blerë 25-vjeçarin Ibrahimoviç. Unë sigurisht do ta ndjek me shumë interes. Milani nuk është aty ku duhet të jetë. Zlatan duhet të japë impulse të reja dhe të ngrejë nivelin e të tjerëve”, tha fillimisht ai.
Emanuelson, i cili luajti për Milanin nga janari 2011 deri në korrik 2014, gjithashtu kujtoi se si Ibrahimoviç ishte vendimtar për fitoren e titullit në vitin 2011.
“Ai ishte një lojtar vendimtar për Milanin tim. Përveç asaj që mund të japë në fushë, karakteri i tij do të jetë i rëndësishëm për skuadrën e sotme. Ai i shtyn bashkëlojtarët deri në kufi të limiteve, madje edhe gjatë stërvitjes”, përfundoi ai.