Nderimi ushtarak që bënë futbollistët turq pasi shënuan golin ndaj Shqipërisë dhe e përsëritën edhe në dhomat e zhveshjeve, është kthyer në temë diskutimi në vende të ndryshme të Europës.
Shumë tifozë në klubet ku aktivizohen futbollistët janë kundër, pasi mendojnë se ata kanë dhënë një mesazh por luftës që po zhvillon Turqia e cila ka nisur trupat në veriun e Sirisë duke luftuar kundër forcave kurde.
Por klubi i Fortuna Dyseldorf, i ka dalë në mbrojtje dy lojtarëve të saj, Kan Ajhan dhe Kenan Karaman. Drejtori sportiv, Lutz Pfanenshtil, i cili në karrierën e tij ka veshur edhe fanellën e Vllaznisë duke luajtur si portier i kuqebluve, insiston se futbollistët nuk kishin alternativë tjetër.
“Ne i njohim këta lojtarë prej kohësh, jemi të bindur se nuk kishin asnjë alternativë tjetër përveçse të jepnin këtë mesazh politlk. Të dy lojtarët mbrojnë vlerat që mbështet klubi ynë”, tha Pfanenshtil.
Sipas deklaratës të klubit të Bundesligës, situata ishte sqaruar menjëherë pasi pamjet u bënë virale. “Lutz Pfanenshtil komunikoi menjëherë me lojtarët dhe bëri të qartë pozicionin e klubit tonë.
Të dy shpjeguan se ishte thjesht një mesazh solidariteti me ushtarët dhe të dashurit e tyre, i kombinuar me dëshirën që të ktheheshin shëndosh e mirë pranë familjeve të tyre”, shkruhej në shpjegimin e Fortuna Dyseldorf për futbollistët në fjalë. /vipsport/