Real Madrid-i i Galaktikëve ka hyrë në histori. Për atë që Blancos kanë arritur në fushën e lojës, por edhe për ndonjë sjellje të papërshtatshme jashtë fushës.

Kohët e fundit, Roberto Carlos ka zbuluar disa detaje në lidhje me veset e futbollistëve të atij Real-i, nga shishet e verës gjithmonë të pranishme në tavolinë e deri te netët e çmendura me Fenomenin Ronaldo.

Këto deklarata janë konfirmuar në intervistën që Roberto Soldado ka dhënë për The Guardian. Sulmuesi, tani te Granda, ishte shumë i ri në atë kohë dhe ka shpjeguar se është ndier shumë mirë në stilin e jetës aspak të këshillueshëm të grupit.

“Shikoj fotografi të kohës kur isha te Real-i dhe më vjen turp. Isha një fëmijë. Kishte lojtarë si Figo, Zidane, Raul, që ishin profesionistë të mëdhenj. Megjithatë, unë isha fiksuar me të tjerët. Kam ndjekur ata që nuk duhej të ndiqja”, ka thënë Soldado.

“Duhet të jesh përgjegjës për veten, të dish atë që është e drejtë dhe atë që është e gabuar, ku është limiti. Por unë kam shkuar atje duke menduar se isha më i fortë se Beckham, nuk isha i përgatitur psikologjikisht. Do të kisha dashur të jepja maksimumin tim te Real-i, dikush duhet të më kishte goditur në kokë dhe të më pyeste se çfarë po bëja”.

Megjithatë, nuk duhet të jetë e lehtë të injorohet një grup i tillë, veçanërisht nëse e shikon veten të konsumosh alkool me disa legjenda.

“Është një ide që të futet në kokë. Nëse më jepnin një gotë verë, unë e pija. Dhe në moshën 17 ose 18 vjeç, nëse ishte ora një e natës dhe dikush thoshte të shkonim të pinim, unë isha i pari që përgatitej të dilte”.

Me pak fjalë, një jetë në stil Galaktik jashtë fushë, por jo brenda saj. “Nuk kujdesesha për veten, haja shumë. Shikoj fotografitë e asaj kohe dhe pyes veten si arrija të luaja me Galaktikët në atë gjendje”.

Në fund, Soldado ka shëtitur Spanjën dhe Europën gjatë karrierës së tij, por dyshimi do t’i mbetet gjithmonë. Ku do të kishte arritur nëse nuk do të kishte ndjekur shembujt e gabuar?