Kupa e Botës erdhi për herë të parë sot në Shqipëri. Trofeu më i rëndësishëm i futbollit në Botë është pritur në Aeroportin “Nënë Tereza” nga Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe Ministrja Evis Kushi.

Trofeu zyrtar i Kupës së Botës ka mbërritur mëngjesin e sotëm për herë të parë në Shqipëri, në kuadër të turit që FIFA po zhvillon në disa shtete.

Për të shoqëruar trofeun më të rëndësishëm të futbollit ishte ish-kampioni brazilian Gilberto Silva, ndërsa i pranishëm në ceremoni ishte edhe legjenda e futbollit shqiptar, Lorik Cana.

Kupa e Botës do të qëndrojë për disa orë në Tiranë dhe do të prezantohet edhe para qytetarëve, ndërsa më pas do të vijojë rrugëtimin në shtete të tjera, për të mbërritur në destinacionin e fundit, në Katar, ku do të zhvillohet edhe kampionati botëror në muajin nëntor.