Friday, July 10, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PAREBesëlidhja nis projektin për rikthimin në elitë, Plori: "Skuadra është 80% e...

Besëlidhja nis projektin për rikthimin në elitë, Plori: “Skuadra është 80% e kompletuar”

Besëlidhja është shfaqur si një nga klubet më aktive në merkaton e kësaj vere. Pas rikthimit në Kategorinë e Parë, drejtuesit lezhjanë kanë ndërmarrë një riformatim të thellë të skuadrës, duke afruar futbollistë me eksperiencë dhe cilësi, me synimin për të ndërtuar një ekip konkurrues që do të luftojë për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.

Skuadra ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa seanca e parë stërvitore është zhvilluar nën drejtimin e trajnerit Elvis Plori. Me fillimin e fazës përgatitore, në kampin lezhjan mbizotëron optimizmi, pasi objektivi është i qartë: rikthimi në Abissnet Superiore.

Deri në këtë fazë të merkatos, Besëlidhja ka siguruar disa përforcime të rëndësishme, ndërsa puna për ndërtimin e ekipit vijon. Drejtuesit janë ende në kërkim të elementëve të tjerë cilësorë, të cilët pritet të rrisin konkurrencën brenda grupit dhe t’i japin skuadrës më shumë alternativa gjatë sezonit.

Pas stërvitjes së parë, trajneri Elvis Plori bëri të ditur se organika është pothuajse e kompletuar.

“Skuadra është rreth 80 për qind e plotësuar. Po punojmë për të afruar edhe disa lojtarë me eksperiencë dhe cilësi, të cilët do të na ndihmojnë të jemi sa më konkurrues gjatë sezonit,” deklaroi tekniku lezhjan.

Sipas Plorit, faza përgatitore do të ketë një rol vendimtar në krijimin e identitetit të skuadrës, duke u fokusuar si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë taktik. Ai konfirmoi gjithashtu se Besëlidhja do të zhvillojë disa ndeshje miqësore, të cilat do t’i shërbejnë stafit teknik për të testuar futbollistët dhe për të përcaktuar formacionin ideal përpara startit të kampionatit.

Me një pjesë të konsiderueshme të grupit të ruajtur nga sezoni i kaluar, afrimet cilësore të realizuara deri tani dhe mbështetjen e vazhdueshme të presidentit Pjerin Fushaj, Besëlidhja synon të jetë një nga pretendentet kryesore në Kategorinë e Parë.

Në Lezhë ambiciet nuk fshihen. Objektivi është i vetëm: rikthimi i futbollit lezhjan në elitën e futbollit shqiptar, një synim që, sipas drejtuesve të klubit, mbështetet mbi një projekt serioz dhe një skuadër të ndërtuar për të qenë protagoniste gjatë gjithë sezonit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments