Skeptikët dhe ata që nuk mendonin se Vllaznia do të ecte në këtë mënyrë, tashmë e kanë marrë një përgjigjë. Ish- kapiteni i kësaj skuadre, Elvin Beqiri, gjatë një prononcimi në emisionin “Sport Shoë” ka shprehur kënaqësinë për mënyrën si po luan dhe si po bën kjo skuadër deri më tani.

“Faktet flasin vetë. Një Vllazni që është në vendin e parë dhe 9 pikë e shkëputur nga rivalët, do të thotë shumë në kampionatin shqiptar. Kemi parë para disa viteve Skënderbeun që pasi harmonizoi grupin, për 2-3 vite ishte vazhdimisht e shkëputur nga ndjekëset.

E tillë është edhe Vllaznia e sivjetme, një skuadër që rivalizon me shumë dinjitet me ekipet që konsideroheshin pretedente në fillim të sezonit. Duhet ta pranojmë se ky ekip na ka surprizuar të gjithëve. Në fillim ka patur shumë prej atyre që kanë qenë skeptikë, të tjerë të cilët mendonin se ishte vetëm fillimi dhe Vllaznia me kalimin e javëve do të rrëshqiste, por ja që nuk ndodhi kështu.

Ekipi duhet të vazhdojë në këtë mënyrë, të jetë i bashkuar, mund të ketë sërish edhe ndonjë humbje apo barazim, por duhet të gjejë forca të reagojë ashtu siç ka bërë edhe në ndonjë rast tjetër.

Forca e karakterit ka të bëjë shumë tek një ekip që ka pretendime dhe të ruajë ritmin deri në fund të kampionatit e të mos ketë luhatje të mëdha.

Vllaznia nuk duhet të mendojë se çfarë do të bëjë Kukësin, por të mendojë për mënyrë si do të luajë vetë, të shfrytëzojë momentin e mirë që po kalon dhe të marrin rezultatin pozitiv edhe në këtë ndeshje”- ka thënë Beqiri./SHKODRA-SPORT.COM/