Barcelona vazhdon të shpresojë për të afruar në radhët e saj sulmuesin e Bajernit të Mynihut dhe kombëtares polake, Robert Levandovski.

Ndonëse nga Mynihu, klubi bavarez ka qenë i prerë se nuk ka ndër mend ta shesë në verë sulmuesin e vet, ditët sjellin zhvillime të reja në Bavari.

Sipas mediave gjermane dhe atyre spanjolle, Levandovski ka refuzuar së fundmi ofertën e Bajernit për të rinovuar.

Polaku ka një kontratë deri në vitin 2023 me Bajernin, por nëse klubi refuzon ta shesë këtë verë, rrezikon ta humbasë me parametra zero vitin e ardhshëm.

Barcelona kërkon të përfitojë maksimalisht nga kjo situatë, duke joshur sulmuesin 33-vjeçar.

Drejtori i katalanasve, Mateu Alemani, ka deklaruar se klubi spanjoll dhe lojtari nuk kanë folur për një marrëveshje të mundshme.

Por në fakt Barcelona nuk po qëndron duarkryq. Në përpjekjet e veta për të joshur Levandovskin për të shkuar në “Camp Nou” Barcelona ka gjetur edhe mbështetjen e një ish-bavarezi.

Bahet fjalë për ish-mesfushorin e Bajernit, Havi Martinez. Spanjolli dhe polaku kanë luajtur 166 takime së bashku në radhët e bavarezëve.

Aktualisht Havi Martinez luan në Katar dhe që nga andej i ka dhënë një këshillë ish-shokut të skuadrës që të firmosë për Barcelonën.

Sipas tij, në rast se Leva do të shkonte në Barcelonë, atje do të kishte më shumë mundësi për ta fituar “Topin e Artë”, që mbetet dhe një nga pengjet e polakut, si dhe një arsye përse ai dëshiron largimin nga Mynihu.

“Unë e shoh me një sy pozitiv transferimin e mundshëm të tij në kampionatin spanjoll. Ky kampionat do t’i shkonte shumë për shtat.

Kur flasim për Levandovskin flasim edhe për ‘Topin e Artë’ dhe unë jam i bindur se në Spanjë ka më shumë mundësi për ta arritur këtë çmim personal.

Fuqia dhe jehona e mediave spanjolle është shumë më e madhe se e atyre gjermane. Nëse Leva do të shënonte të njëjtën sasi golash në Spanjë siç po bën te Bajerni, me siguri do ta fitonte ‘Topin e Artë’”, ka thënë Havi Martinez në një intervistë të dhënë për të përditshmen polake “Sportove Fakty”.

Havi Martinez gjithashtu ka bërë me dije se Levandovski do të ingranohej në mënyrë ideale te Barcelona.

“Nuk kam asnjë dyshim se Leva do të ishte një blerje e duhur për Barcelonën, sikurse Barcelona do të ishte skuadra ideale për të.

Transferimi nga Bajerni te Barcelona nuk duhet parë si një hap pas, përkundrazi, Barcelona do të kthehet shpejt në majë. Kanë një trajner të madh si Ksavi dhe një president si Laporta që e dinë se si duhen bërë punët”.