Erind Selimaj, ish-portieri i Vllaznisë në vitet 2013-2019, në një intervistë për “Panorama Sport” ka analizuar fazën e parë të skuadrës shkodrane.

33-vjeçari që ka provuar të luajë në Kategorinë Superiore edhe si pjesë e Luftëtarit, mendon se kuqeblutë kanë shfaqur shumë luhatje në lojë, por ai beson se objektivi titull mund të arrihet. Selimaj vlerëson performancën e deritanishme të portierit Zogoviç.

Erind, prej tri vitesh jeni larg Vllaznisë, por besoj e keni ndjekur skuadrën e zemrës si tifoz…

Po, padyshim që e kam ndjekur. Nëse flasim për këtë fazë të parë, mendoj se skuadra nuk po u përgjigjet objektivave që ka për titullin kampion. Loja që ka bërë ka qenë me shumë luhatje. Gjithashtu ka shënuar 9 gola dhe pësuar 10. Janë shifra që nuk ngrohin, por shpresoj që gjithçka të ndryshojë, pasi tashmë ekipet njihen më mirë dhe i dinë pikat ku mund t’i godasësh. Ndoshta Vllaznia s’do të ketë më luhatje.

Si e keni parë ndeshjen e fundit ndaj Bylisit?

Pavarësisht se si erdhën ngjarjet, fitorja ishte e merituar. Sigurisht në këtë situatë tri pikët bëjnë mirë për skuadrën. Duhej ky sukses ndaj Bylisit ndoshta për të qetësuar disi situatën te Vllaznia.

Ku duhet të ishte bërë më mirë sipas jush në këtë fazë të parë?

Sulmi dhe mbrojtja duhet të kishin bërë punën më mirë. Shënimi i golave është i paktë, por ndërkohë ekipi ka pësuar shumë. Kjo tregon se duhet bërë më mirë në këtë aspekt gjatë kampionatit.

A mund të themi se dëmtimet e shumta kanë ndikuar në skuadër?

Dëmtimet janë një problem shumë i madh dhe sidomos për ekipet shqiptare, që kontingjentin e bazojnë në vetëm 15-18 lojtarë. Unë mendoj se dëmtimet te Vllaznia kanë ardhur nga regjimi, stërvitja dhe rikuperimi jo i duhur, por ndoshta edhe nga ngjeshja e kalendarit.

Këtë sezon janë aktivizuar më shumë të rinj se vitet e kaluara, ju ka bërë ndonjëri përshtypje?

Është shumë pozitive që po u jepet mundësi të rinjve. Duhet që trajneri këtë ta aplikojë deri në fund, që të fitojmë lojtarë shkodranë për vitin tjetër. Paraqitja e tyre ka qenë e kënaqshme.

Më lart thatë që janë pësuar shumë gola. Si ishportier, keni një vlerësim për Bojan Zogoviçin?

Bëri mirë kundër Bylisit me pritjet në fund, sepse jemi mësuar që gjithmonë portieri është fajtor kur pësohet gol, ndërsa kur bën pritje vendimtare nuk merr atë vëmendjen e duhur. Prandaj duhet përgëzuar për çfarë ka dhënë deri më tani me Vllazninë.

Si e shikoni të ardhmen, mendoni se skuadra do të jetë për titull deri në fund?

Këtë vit besoj më shumë tek objektivat që ka Vllaznia, por këtë duhet ta tregojë në tri fazat e tjera nëse janë vërtet për titull. Unë mendoj se mundësitë i kanë dhe kam një besim se mund të arrijmë të dalim pas shumë vitesh kampion. Gjithsesi, duhet harruar faza e parë.

Të shtunën Vllaznia luan kundër Erzenit, çfarë ndeshjeje prisni?

Erzeni është surpriza e fazës së parë. Kjo ka ardhur edhe nga nënvlerësimi që i kanë bërë kundërshtarët, por duke shtuar këtu dëshirën që ata kanë për të bërë mirë, po arrijnë suksese. Duhet të kuptojmë që futbolli është një kimi që me të njëjtën formulë jep rezultate të ndryshme.