Kukësi kërkon një gjigant për sul min. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë kampit verilindor pohojnë se janë në bisedime me hungarezin Marko Futaks, i cili vjen nga radhët e skuadrës Zalaegerszegi në kampionatin hungarez.
Mësohet se aktualisht palët janë në bisedime dhe shpresohet që të arrihet në një marrëveshje, për më tepër që bëhet fjalë për një sulmues që ka luajtur edhe me kombëtaren e Hungarisë, si edhe ka qenë pjesë e skuadrave cilësore në Europë: si Verder Bremen në Gjermani apo Portsmuth dhe Lestër në Angli.
Është 31 vjeç dhe, sipas karakteristikave fizike, duket si një Pejiç i ri, por nëse do ta shohim pjesë të Kukësit apo jo, mbetet e gjitha për t’u parë, sepse edhe arritja e marrëveshjes nuk do të jetë një mision i lehtë.
KARRIERA – Nëse Futaks në fund do të firmoste me Kukësin dhe do të bëhej pjesë e futbollit shqiptar, do të ishte një nga futbollistët me karrierën më të pasur që ka zbarkuar në vendin tonë. Kështu, karriera e tij ka nisur me moshat e Ferencvaroshit në Hungari për të kaluar në Francë tek ekipi i dytë i Nansit. Ecuria e tij vjen në ngritje, sepse pas Francës provon aventurën në Gjermani, me Verder Bremenin dhe Ingolshtadin. Vijon më pas në Angli, aty ku për disa sezone luan me Portsmuthin, Lestërin dhe Blekpulin.
Pas Anglisë, 31-vjeçari, i gjatë 194 centimetra, luan për dy sezone në Turqi me skuadrën Mersin, në të cilën bën paraqitje pozitive dhe bën një hap të madh në karrierë, duke shkuar në Kroaci. Shkëlqimin e tij e ka tek ekipi i njohur kroat Hajduk i Splitit, ku militoi për tri sezone dhe arriti të shënonte 20 gola, 18 prej të cilëve vetëm përgjatë një sezoni, pikërisht në 2017-2018.
Pas Hajdukut, Futaks rikthehet në kampionatin hungarez, ku edhe ishte për herë të fundit. Sulmuesi gjigant ka edhe një eksperiencë me kombëtaren e Hungarisë, ku pas moshave ia del të shkojë në ekipin e parë dhe të aktivizohet madje në tri ndeshje me përfaqësuesen e vendit të tij.